Disa orë para hyrjes në fuqi të masave të reja, qytetarët dynden me vetura drejt qendrave tregtare

Vendimi i fundit i qeverisë së Kosovës për të ashpërsuar masat mbrojtëse nga pandemia, ku pos kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, ndalohet edhe përdorimi i veturave, ka bërë që sot, një ditë para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, qytetarët të dynden drejt qendrave tregtare.

Kolona të gjata të veturave janë parë duke lëvizur në drejtim të këtyre qendrave tregtare, përkundër thirrjeve të autoriteteve për respektimin e masave mbrojtëse nga pandemia covid 19, ku më kryesorja është distanca fizike.

Janë të kuptueshme nevojat që mund t`i ketë secila familje për t`u furnizuar me artikuj ushqimor, por vërshimi i përnjëhershëm drejt qendrave të mëdha tregtare, siç shihet në foton tonë, përbën rrezik nga infektimi i mundshëm me virusin covid 19.

Qytetarët druajnë se mund të mbeten pa furnizime me gjera elementare gjatë tri javëve të ardhshme, për shkak se koha prej 90 minutash, gjatë së cilës mund të ndalen tri-katër nga policia për verifikim, nuk u jep mundësi të kryejnë ndonjë punë, sidomos atyre që jetojnë larg këtyre qendrave tregtare dhe koha u humbet gjatë rrugës./mediafokus.info