Dita e Bardhit: Ja kem ba hallall kësaj toke…

“Ëndrra jote ishte që pas çlirimit të vendit, të bëhesh polic i Kosovës, por Zoti e kishte caktuar fatin që të jesh dëshmor i Kosovës”.

Me këto fjalë e ka përkujtuar Raif Sejdiu nga Vërbica e Zhegcit, dajën e tij dëshmor Enver Miftari, i rënë në ditën e sotme, para 21 vitesh, shkruan mediafokus.info.

“Ajo ishte dita më e keqe për mua, sepse unë erdha për të të vizituar dhe për të diskutuar për të ardhmen tonë, por atë ditë ti kishe rënë dëshmor për lirinë e popullit tënd të dashur”, ka shkruar më tej Raif Sejdiu.

Enver Miftari lindi më 14. 5. 1974 në Verbicë të Zhcgocit, ku e kreu shkollën fillore, ndërsa të mesmen e vazhdoi në Prishtinë.

Me fillimin e luftës në Kosovë, Enveri u inkuadrua në radhët e UÇK-së në Zonën Operative të Karadakut me nofkën “Bardhi”.

Me të dëgjuar se në fshatin Zllash të Marecit kishin filluar stërvitjet për ata që donin t’i bashkoheshin luftës kundër forcave okupatore serbe, ai në janar të vitit 1998 shkoi atje dhe qysh nga ajo ditë iu bashkua radhëve të UÇK-së.

Pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake në Zllash, ai u vendos në fshatin e tij në Vërbicë, vazhdon shkrimi i mediafokus.info

Më 15 prill të vitit 1999, ishte pjesëmarrës i betejës së Zhegocit, ndërkohë më 17 prill 1999 ishte pjesëmarrës në betejën e Marecit. Pas këtyre betejave, Enverit i shtohet morali dhe nga komanda emërohet në detyrë speciale në vijën Marec, Vcrbicë, Zhegoc, Kishnapole.

Enveri ishte njeri që nuk fliste dhe mbante një heshtje burrërore. Ishte i ri, por lufta dhe morali i luftës e kishte bërë si burrë me pjekuri para kohe.

Në atë mëngjes të hershëm të 8 qershorit 1999, forcat serbe ia mësyn vendit ku ishin të vendosura njësitë e UÇK-së, në mesin e tyre edhe Enveri.

 Pasi i vëren forcat serbe, Enveri hapi zjarr në drejtim të tyre, duke u shkaktuar humbje dhe njëkohësisht alarmoi bashkëluftëtarët për rrezikun dhe me mençuri krijoi korridorin për tërheqje.

Në luftim e sipër Enveri plagoset në këmbë dhe pasi i jep vetes ndihmën e parë, e lidh plagën dhe ashtu vazhdon betejën kundër forcave serbe duke shkrepur rafalët një pas një dhe nga një kënd tjetër, ku pas një lufte të madhe, nga një distancë, Enveri goditet edhe njëherë nga snajperët serbë, me ç’rast edhe bie heroikisht në altarin e lirisë.

Enveri ra në krye të detyrës, në Verbicë, në lagjen “Avdiu” ku edhe ishin të vendosura njësitë e UÇK-së për një kohë të pacaktuar.

Qëndresa e Enverit-Bardhit për të rezistuar ballë për ballë me forcat armike, i pengoi ato që t’u afrohen pozicioneve të UÇK-së. Sulmet e armikut ishin të ashpra në drejtim të pozicionit dhe pikës që mbronte Bardhi.

Falë rezistencës dhe heroizmit të tij për ta mbrojtur një mjeke dhe bashkëluftëtarët e tij, ai u qëllua me snajper dhe u plagos në këmbë.

Më 8 qershor 1999 u bë varrimi i Enverit, me nderime të larta të ushtarëve dhe të afërmeve që ishin në fshatin Verbicë.

Komanda e ZOK-ut më 17 shtator 1999 organizoi rivarrimin e Enverit dhe të gjithë dëshmorëve në varrezat e dëshmorëve në Gjilan.

Në vendin e rënies, në Lagjen “Avdiu” në Verbicë është ngritur përmendorja. Pllaka në përkujtim të këtij dëshmori është ngritur edhe te varrezat e lagjes “Ismaili” ku ka qenë i varrosur.

Babai Shefki Miftari, rreth 80-vjeç, i rënduar nga sëmundja dhe pleqëria, e kujton si sot 8 qershorin e vitit 1999, kur forcat serbe, përmes një sulmi të befasishëm, në pesë të mëngjesit, kishin me tërë arsenalin fshatin Verbicë të Zhegocit.

Mjekja e Zonës Operative të Karadakut, Teuta Hadri, dhe ekipi saj, do të ziheshin të gjallë, po të mos ishte heroizmi i dëshmori Enver Miftari-Bardhi.

Dy karikatorët e pushkës automatike me zjarrin dhëmbë për dhëmbë, po bënin që forcat serbe të ndaleshin, për sa kohë që dëshmori Bardhi, me trupin e tij, po i bënte roje atdheut dhe njerëzve të cilët po shpëtonin nga dritaret ….

“E mbaj mend ditën që e kemi varrosur. Dheu i varrit më dukej me grimca të alltënit. E kam ditur tek e ka marrë pushkë se mund të vritet”, rrëfehet baca Shefki.

Kjo familje, si babai Shefkiu, ashtu edhe nëna Hanumshahja e kanë ndihmuar luftën me gjithçka që kishin.

Kur kanë ra krismat e para, në mëngjes, Hanumshahja ishte duke shti bukë…

“Enveri ka qenë drita e familjes, ma i madhi nga 11 fëmijët, kam pritë me martua dhe e martova me lirinë. Ja kam ba hallall kësaj toke”, thotë ajo. /mediafokus.info