Dita e çlirimit, me aktivitete të shumta, por nën respektimin e masave anti–Covid

Deniza Limani, drejtoreshë e Kulturës, ka thënë në takimin e Bordit, se në ditën e nesërme, 18 maj 2021, bëhet hapja e Muzeut të dytë të Gjilanit, atij Etnografik, që është vendosur në ish-objektin e shkollës së Muzikës.

Më pas do të jenë përgatitjet për shënimin e Ditës së Fëmijëve më 1 qershor, për të vazhduar pastaj po me këtë qëllim, nga pesë shfaqjet teatrale, që janë të përgatitura nga nxënësit e shkollave të mesme.

Do të vazhdohet me aktivitetin kulturor në kujtim të publicistit, letrarit dhe shkrimtarit të njohur gjilanas “Beqir Musliu” duke nisur që nga trekëndëshi poetik i paqes e deri të çmimi letrar.

Në këtë rrafsh është paraparë edhe përzgjedhja e të dalluarve të vitit në kulturë, sport, vullnetarizëm, arsim, shëndetësi, shërbim civil, bujqësi dhe në sektorë të tjerë.

15 Qershori është data e kujtimit të 22 vjetorit të çlirimit të Gjilanit, ku përpos homazheve dhe nderimeve për dëshmorët, është paraparë edhe një koncert i fëmijevë në ambient të hapur.

21 qershori parasheh shënimin e Ditës së Muzikës, me organizime simbolike nga artistët dhe kantautorët gjilanas.

Gjithashtu, në kalendarin për Ditët e Çlirimit do të përfshihet edhe promovimi i këndit të veprimtarit të shquar “Idriz Ajeti” në Bibliotekën e Gjilanit, në shenjë falënderimi për dhurimin e bibliotekës së tij për lexuesit tanë.

Të gjitha këto aktivitete do të mbahen nën respektimin e masave mbrojtëse nga pandemia Covid-19, ka thënë Limani.