Dita e çlirimit të Hogoshtit – ky është rrëfimi im
Dita e çlirimit të Hogoshtit – ky është rrëfimi im
Shkruan: Xhemush Biçku
Në momente dhe ditë të caktuara njeriu ka nevojë të iu rikthehet sërish ngjarjeve, që kanë lënë gjurmë në jetë. Përmes frikës e ankthit, por mbi të gjitha me një shpresë të shtuar po i përcjell netët dhe ditët, së bashku me javët dhe muajt nga fillimit i bombardimeve të NATO- s nga 24 marsi…
Shkrimet e mia nuk pretendoj të jenë artistike, as edhe historike, thjeshtë po i paraqes përshtypjet dhe gjërat ashtu siq i kam parë dhe po i shikoj me sytë e mi. Por këto shkrime të shkurtra dhe modeste, dhe pa ndërhyrje edhe sot, pas 22 viteve, i kam bërë enkas për vendlindjen time, për rininë e fshatit tim, për lirinë dhe gjakun e dëshmorëve.
E filloj kështu, më datë 09 qershor 1999, e mërkurë, sot është arritur Marrëveshja tekniko-ushtarake në mes Ushtrisë serbo – jugosllave dhe Forcave Paqësore të NATO-s, që janë të vendosura në afërsi të Kumanovës, që i përfaqëson gjenerali Majk Xhekson nga Mbretëria e Bashkuar. Bisedimet kishin filluar para 4 ditëve përmes vazhdimeve dhe ndërprerjeve, pikërisht sot në ora 22:00 të mbrëmjes arritën marrëveshje që quhej arritje e NATO-s për Kosovën.
E enjte, 10 qershor 1999, kanë filluar të largohen disa makineri luftarake dhe ushtarë serb drejtë Serbisë. Të gjithë këta të nevrikosur për humbje dhe të hidhëruar me NATO-n. Shikova në televizion, në kanalin BBC World, dhe ata thanë se brenda 11 ditëve duhet të largohen të gjithë ushtarët dhe paramilitarët serb përfshirë edhe të gjithë makinerinë vrastare. O Zot, edhe 11 ditë jashtë Kosovës e gjithë ushtria dhe policia serbe, sa shumë u gëzova…!
Edhe një lajm për ditën e djeshme të cilin paraprakisht e paskam harruar: Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është miratuar Rezoluta 1244. Sot, e premte, 11 qershor, po dëgjoj lajme më shumë në radio, dhe po mendoj vetëm gjëra të mira për popullin shqiptar, po i gëzohemi ngadalë lirisë. Dje pas dite, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s z.Havier Solana urdhëroi ndërprerjen e aktiviteteve dhe bombardimeve ushtarake mbi ish Jugosllavi. Këtë urdhëresë e zbatoi në përpikshmëri gjenerali amerikan, komandanti i forcave të NATO-s z. Wesli Clark. Sot, natyrisht ditë e mirë. Të gëzuar deri në pafundësi…
Nuk dëgjohen më aeroplanët e NATO-s, që ne u gëzuam për 79 ditë, derisa sulmonin mbi forcat serbe duke vrarë e shkatërruar policës e ushtarë serb. Falënderimi i takon Zotit të Madhërishëm që na ktheu jetën dhe gëzimin në Kosovë, falënderimi SHBA-së, falënderimi NATO-s, falënderimi UÇK-së. Fitorja dhe liria është tash e jona.
Sot është e shtunë, datë 12 qershor 1999, dje nuk ka pasur bombardime. Kështu konfirmoi edhe Havier Solana: Tymi dhe zhurma më nuk shihen dhe nuk dëgjohen nëpër Kosovë. Për 79 ditë dhe netë pa ndalur, na u dashtë ta ndalim deri në mposhtje kryekriminelin Sllobodan Millosheviq. NATO fitoi, fitoi Kosova dhe paqja në botë. U gëzova tej mase nga këto fjalë të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s të thëna në konferencën në Bruksel. Lufta në Kosovë, përfundoi…përfundoi përgjithëmonë.
Sot më 12 qershor 1999, ditë e shtunë, në orën 05:15 të mëngjesit, hyjnë forcat paqeruajtëse në kufirin Kosovë – Maqedoni, pikërisht në pikën kufitare në Hanë të Elezit. Të parët hyjnë ushtarët britanik, pastaj tjerët. Kështu po lajmërojnë radio dhe Deutche Wele në gjuhën shqipe me gazetarin Agim Zogaj dhe Valentina Saraqini që i përcjelli çdo ditë dhe e ruaj kohën e lajmeve me shumë përpikëri. Por çka ndodhi një befasi, për mua dhe për të gjithë, një e pa pritur nga KFOR-i rus që mbi 200 ushtarë me automjete dhe teknikë luftarake nga Bosnja nëpër Serbi hyjnë në Kosovë, në Prishtinë natën vonë në orën 01:20. Kurse serbët si gjithmonë që festojnë humbjet në qendër të Prishtinës iu organizuan pritje spektakolare, sepse shiheshin në televizionet serbe, të gëzuar dhe të sigurt se do të kenë sësish mbrojtjen që nuk u takon.
I priten me lule, alkool, bile edhe me përqafime “vëllezërit” e tyre …Thoshin në lajme se, ata hynë në Kosovë pa lejen e NATO-s. Ata pas një nate shkuan në drejtim të Sllatinës, në aeroportin ushtarak dhe janë nën komandën e NATO-s.
Eh… thash në vete, mirë bëhet ishallah edhe kështu…Pra Kosova fitoi, Kosova u çlirua njëherë e përgjithmonë.
ARDHJA E UÇK-së NË HOGOSHT
E martë 15 qershor 1999, ora 10:45
Pikërisht në këtë paradite, u dëgjua një refal nga një pushkë automatike, nga një ushtarë trim, që lajmëronte fshatin se ne gjendemi këtu bashkë me ju, se ne jemi afër, shumë afër..
Së shpejti të gjithë i ndërprenë punët e zakonshme, në shtëpi e në fushë, i madh dhe i vogël marshuan të gëzuar drejt kolonës së ushtarëve që tashmë ishin tubuar në sheshin e Hogoshtit. Duke i përshëndetur dhe duke kënduar për UCK-në, Kosovën, lirinë dhe heronjtë.
I pamë të gjithë, shumicën po i njihnim. I dëshironim mirëseardhje, me rroba ushtarake dhe pushkën në krah. Sa mirë, në radhë, sa bukur të rreshtuar dhe hap pas hapi, një nga një anës rrugës së asfaltuar defiluan deri te ndërtesa e ish ish-kooperativës bujqësore… Shkuan të bashkuar të gjithë… Sa mirë po mendoj unë ndër vete, për herë të parë në historinë e njerëzimit dhe Kosovës , më kurën e kurrës këmba e kriminelëve serb nuk do të shkel në tokën e Kosovës. Për këtë dhe që është derdhë shumë djers, mundi e gjak. Tash do të shohim uniformën më të bukur në trupat e ushtarëve të lirisë. Kjo ditë do të mbahet mend, ne jemi me fat që e pritëm këtë datë dhe këtë gëzim për Hogoshtin.
Prandaj Hogoshti ishte i pari fshat në komunë që u çlirua nga armiku.
U ngritë flamuri me shwiponjën dy krenare shpejt e shpejt, nëpër objekte të mëdha dhe të larta.
Oh sa bukuri, ata ushtarë që defiluan në Hogosht, vazhduan rrugën për në fshatin Kopernicë. Por pas disa minutash nga qielli po dëgjohej një zë, një ushtimë, që kurrë nuk ishim mësuar me të tilla ushtima apo zhurma….vinte shpejt dhe afër tokës një helikopter i NATO-s. Thoshin njerëzit ata të KFOR-it janë. Ne të gjithë dhe fëmijët nga toka i përshëndetnim me dorë, dhe një puthje atje lartë në qiell për ata, në shenjë falënderimi, pas një kontrolli nga qielli dhe alarmi se ne erdhëm, tash jemi këtu ata shkuan. Ishin me flamurin USA. Kjo ishte dita e parë, që forcat Amerikane kanë hyrë në territorin e Anamoravës, në Gjilan dhe Kamenicë, paralajmëruan: ne kemi ardhur, ju rrini tash rehat…Iu gëzuam kësaj dite të gjithë, po kthehej gëzimi dhe shpresa për një jetë më të mirë nga të gjithë.
Mu kujtua edhe një datë mua, sa interesant, se Beteja e Kosovës ka ndodhur më 15 qershor 1389.
Unë po vazhdoj aty ku e lash, po shkruaj nga pak, natyrisht në ditarin tim, një fletore e improvizuar në formën e ditarit. Gjithsesi primar obligimi im, po dal në xhami, po bëjë namaz bashkë me xhematin. Fletorja ku po shkruaj, në format të vogël por në vlerë pakrahasimisht e madhe. Është dhuratë nga një shok që po lufton në Koshare, nga hoxha Januz Qazim Zejnullahun nga Skifteraj i Vitis…
Aty nga ora 14.30 nga fshati Kopernicë së bashku me një numër tjetër ushtarësh që kishin ardhur nga Krileva e Tyxheci, janë bashkuar në Kopernicë, dhe të gjithë sërish vinin rrugës së shkurtër për në Hogosht duke kënduar .. Sa mirë, gëzoheshim bashkërisht, këndonim bashkërisht, ecnim tok të gjithë.
Çlirimtarët ishim mësuar ti shohim nga pak përmes televizionit, por erdhi dita që në tokën e Hogoshtit të valon flamuri, dhe të shohim uniformat e UÇK-së. Sa mirë, hallall u qoftë… u luta: Zoti iu bekoftë dhe ndihmoftë për jetë e mot.
Tollovi e madhe, vinin kolonat e njerëzve nga të gjitha fshatrat, valonin flamujt me shqiponjën dy krenare. Kishin kaluar më shumë se 2 vite dhe nuk kishim parë njerëz më shumë se sot. Uronin çdo njëri tjetrin për ditën e çlirimit, për lirinë…Uronin për fitoren që u kurorëzuar me luftë dhe gjak, nga gëzimi rridhnin lotët…
Para ushtarëve të rreshtuar në togje, atë ditë foli z.Shaban Kastrati. Iu uroi mirëseardhje, shëndet dhe suksese të reja dhe duke nderuar dëshmorët e kombit me një minutë heshtjeje Më pas fjalën e mori komandant Arbëri/ Shefik Beqiri, duke i përshëndetur dhe duke i thënë: “Ju jeni ardhmëria dhe krenaria e Kosovës, ju jeni shtylla kryesore e këtij vendi, krenohemi që ju kemi se ju dhe ne do ta ruajmë çdo pëllëmbë të kësaj toke. Brigada e jonë është brigada 172 ,,Isa Kastrati’’ heroi dhe trimi i këtij vendi që ra heroikisht në mbrojtje të atdheut, Lavdi i qoftë”.
Më pastaj filluan bisedat e lira me vëllezërit dhe motrat nga Hogoshti dhe rrethina dhe të afërmit e tyre,..dhe koha po ecë.. Diku ka ora 17.30, po dëgjoj fjalët dhe zëri i lartë NATO-NATOOO, dola nga shtëpia që është në qendër të fshatit, sheshi ishte stërmbushur me njerëz. Ishim njoftuar, se do të vinë për herë të parë trupat tokësore të KFOR-it Amerikan.. Ata erdhën plot madhështi, ndërsa ne me kapacitetet tona i pritëm siç pritet miku më i mirë, me lule, flamuj, ujë dhe bukë e krip e zemër. Edhe ushtarët amerikanë shprehnin dashurinë duke na përshëndetur më dy gishtrinjë hapur në formë Viktoria. Sa emocionuese janë këto moment… Unë shkruaj nga pak dhe vjedhurazi shikoj dhe bëjë shumë fotografi. Pas rreth një ore dolëm nga një bashkëbisedim të parë midis përfaqësuesit e UÇK-së, dhe KFOR-it, shkuan, ndërsa ne i përcollëm në mënyrën më të mirë ashtu edhe siq i pritëm. Tash më bashkëfshatarët e mi prej sot do të jetojmë në liri. Shkuan në pakthim ditët, muajt dhe vitet e robërisë, kurrë, kurrë nuk do të rikthehen për shqiptarët e Kosovës.
***
Unë, tash kur po i radhis këto shënime në kompjuter po them se kështu i kam parë ngjarjet dhe fenomenet, të tilla dhe i kam shkruar, këto, ditët e fundit të robërisë, dhe ditët e para të lirisë së artë të vendin tim. Nga atëherë dhe sot e kësaj dite kjo datë do të mbetët e dashur në mendje dhe zemër të qytetarëve të Hogoshtit me rrethinë. Kjo ditë që shënohet me manifestime të përvjetshme së bashku, në sheshin e Dëshmorëve, për të rikujtuar gjakun e të gjithë dëshmorëve, por nga Hogoshti ishin Isa S. Kastrati dhe Avdi I.Xhaqku mbi të cilin gjak po ndërtojmë shtetin e pavarur. Pra urime të gjithëve dita e çlirimit të Hogoshtit me rrethinë.
Mbesim me shpresë se ky shkrim i shkurt dhe modest do ti njofton sa do pak gjenerata e reja.
(Autori është imam i xhamisë së Hogoshtit tash e 3 dekada)



