Zoti i ka lanë dy gjona shumë t`mira

Hasan Bunjaku

Pra, me pajtimin e tre vëllezërve, që Axha Ali të jetë ai që do ta bëjë “ndarjen”, duke mos gjetur zgjidhje më të përshtatshme mes vete, ai të nesërmen, në Odën e Babgjysh Demirit, me ndihmën e Bacit Ramiz, që po mbante shënime në atë defterin e tij, i hyri punës.

– Kallxomni niherë se me cillin djalë po jetë Demiri…? – pyeti që në start, Axha Ali.

Pas një pauze të shkurtë e me hamendësime e rrudhje krahësh, Axha Ramë, e theu heshtjen:

– Mos mujshi me e marrë ju të dytë, ani pse nuk po m’bjen, për mos me na met “n’sokak” e me u ba hora e dhevit para dyjesë, qe po e marë unë, pra…!

– Po ti Miz e ti Nel, shka po i thoni ksaj pune? – sërish pyeti Mixha.

– Paj, nime po dalim pak pej Kanunit, po, masi Mizi si ma i vogli, e me të cillin do të duhej të shkonte, nuk i ka kërqysh hesapet, e edhe unë si ma i madhi, besa ere me koxha do vjet t’”rrotume”, e me ni grue jo ere kaq t’shnetshme – nuk po jemi t’zotët me e marë e me e majtë Babën, menasipi ma i miri po na doket qeky i Ramës…! – u përgjigj Babë-Zeneli.

– Po ti Miz…?

– E tha mirë Baci Nel – unë, qysh e dini kejt, s’kam as kllak as rene me e majtë Babën, e kjo qi me “shkue” ai me Ramën, ere për to do të jetë ma mirë, ere për Ramën qi asht shyqyr hala i fortë, e ere Hashajkën e ka shumë t’zojën e t’meçme…! – tha me përvujturi, Baci Miz.

– Po ti Demir, shka po na thue? – e pyeti vëllain, Axha Ali.

– Unë, sod jam e nesër nuk jam e qysh i thojnë ni fjale: veç hije jam tuj ba hala mi tokë, e nuk kam ma as takat me i “pre senet vet” – banjani qysh t’jau merë menja e qysh nuk do t’koritni para dyjesë…! – i ra shkurt Babgjyshi.

– At’herë, pra, hajërli koftë! Veç për vlla se kurrë nuk i kisha hi ktij zahmeti se rrallë banë vaki që në “të dame” kejtve me ju ardh senet n’terezi, po do të munohna qi t’jam i drejtë me secillin…! – tha Axha Ali.

– N’dorë e n’qafë tane e n’drejtë t’Zotit, Axhë…! Se me k’to punë, nuk bahet shaka, ere nuk janë sene qi munen me u ndrrue përditë, po për han e dan…! – foli Baba Nel.

– Eh, pra! Me bismilah, ti Miz – çkruj! Ai qi e merrë babën, e qi k’tu ashtë Rama, i bjen shpija, e ai Rrafshi (qi do t’dahet n’tri hise t’barabarta) drejt me shpijen, ni hise përmjedisi teri te lugi i madh, me konop të njajtë, do ti bijnë Ramës, e n’çat drejtim ere një hise e Lugit t’Madh, e hisja e malit, teri n’Klisyrë.

– Eh, tevona, ajo dizga e rrafshit përmi shpi e ai shpati teri te e Mali teri te Prroni i Zeqirit e teri te Udha e Tërstenës, e teri n’mexhe t’Sadikovitve, e ere një hise e barabartë e rrafshit, në anën e epërme, për mexhe me Sadikovitët, pej Lamës e teri te ajo dardha ujce, e teposhtë Lugit Madh, teri te hisja e Rrahmanit Jahirit – po i bjen Nelit.

– Ere, ajo hisja e rrafshit, ner hisen e Ramës, e teri te Prroni i Zeqirit, e teposhtë ajo shpatina ner Rrafsh teri n’Klisyrë, n’mexhe me Ramën – po i bjen Ramizit.

– Malin, te Prroni i Zharrit, do ta dani në tre konopë, secillit ka ni hise.

– Qe, vlla e ju nipat e mi, ky ashtë dymeni i jem e besoj se, me dije, s’i kam hi n’hak askujna. Allah versën, asht e mujtme qi noj njanit i ka ra noj copë ma e ligë e tokës po nryshe, nuk munet me u da ky mylk qi ju met pej atëherë kur u shitët e deshtët me shkue për Turki…!

Miz, a i çkrove kejt qeto mehe e mexhe:

– Po, Axha Ali, veç…mue m’paske qitë n’Prrue t’Zeqirit, e…!

– E mue n’atë Ledinën e Toks qi nuk ban gja, veç tërrshanë e thekën, se nuk ka as ni shplakë dhe e ner to asht kejt gurinë, e ni shi me ra, e çon kejt n’prrue me bereqet e me dhe… – po , nejse…

– Vallha o Nel e Miz, nryshe nuk mujke me u da, se toka nuk asht tatli me u da copa copa, po duhet me kanë në copa të mdha. Ju n’dijshi ma mirë, nuk asht dasht me ma lanë n’dorë e n’qafë kit kasavet, pa kurrëfarë “koristi” për veti… – foli çartaqejfas, Axha Ali!

– Mirë de mirë, se për pak ere nuk ban me e ba “prag”, veç le të dihet. Na koftë për hajër e e gzofshim qata “kuleçë” qi na ranë. Ashtë mirë qi meniherë pej nesrit me i shenjue mehet tamam me konopë e me gurë mexheje, e le të kryhet niherë e përgjithmonë kjo punë, foli Babë Zeneli, e ishalla, n’mos si vllazni, at’hertë si kojshi do ta çojmë mirë e nuk do t’i bajmë zullum njani tjetrit në hise. Me hajër e me t’shnosh e trashgofshim, secilli hisen e vet!

– T’lumtë goja Nel, se kshtu flasin burrat e vllaznit. – tha Axha Ali. – Çonu e merrnu ngrykë me njani tjetrin e lypjani hallallakin e teritashtëm, e ere me Demirin!

… Dhe, aty për aty, do ma t’fortë e do ma t’ligshtumë, u morrën ngrykë e që të tretë edhe me Babgjyshin, të cilit i rrodhën ere lotët.

– Auh, Demir, bre! Unë të njifsha si ni njeri t’fortë e kijak, po ti kokshe ba si pula, e t’u paska xbutë zemra kejt. N’ven se me jau ba përhajër djemëve t’i po më përlotesh ktu. Herdokurë, kjo ditë do të vinte se janë da ere Pejamberët e le ma djemtë tu. Ma mirë kshtu, se secilli do t’munohet për veti e kshtu do t’shkojnë përpara, po ere razinë mos ta prishin.

-More, shyqyr qi Zoti i ka lanë këto dy gjona: damjen e dekën. Po mos të daheshin gjinja, do të bohej maskarallaki “teri n’gu”, e puna e dekës, po ku i kish majtë toka kejt ata gjinë, po Zoti kurrë nuk punon keq… – e përmbylli Babë Zeneli.

(shkruar në nëntor 2021)