Ky ishte amaneti i profesorit një javë para se të vdiste: Mos e neglizhoni Coronavirusin, është shkatërrues (Video)

Maksut Maksuti, veterani i arsimit dhe sportit gjilanas, me krejt optimizmin që kishte, nuk arriti ta fitonte betejen ndaj Coronavirusit.

Ai ndërroi jetë më 24 korrik të vitit 2020, në moshën 73-vjeçare.

Një javë para se të ndërronte jetë, ekipi i Mediafokus.info qëndroi në Repartin e Infektivës, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ku po trajtohej edhe profesori, tashmë i ndjerë.

Në një bisedë për Mediafokus, profesori i njohur si Maksi e dha mesazhin e madh për njerëzit që të mos e neglizhojnë coronavirusin. Ne po e përsërisim mesazhin e tij pas një viti, pikërisht në ditën e ndarjes së tij nga jeta, që është aktual edhe tani, meqë një numër i madh njerëzish, ende refuzojnë ose hezitojnë të vaksinohen.

“Gabim shumë të madh bëjnë ata që nuk besojnë se ekziston virusi. Ky është virus gjithë botëror dhe duhet t’i përmbahemi rregullave të Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim që sa më shpejt ta eliminojmë këtë virus që është shkatërrues”, pati thënë profesori Maksuti, në bisedën për Mediafokus.info, e zhvilluar më 17 korrik.

Ai pati vlerësim të lartë dhe falënderim për stafin e Repartit të Infektivës, të cilët tha se po tregojnë një kujdes të jashtëzakonshëm.

Ndiqeni deklaratën e profesorit, Maksut Maksuti, një javë para se të ndërronte jetë, mesazhi i të cilit ndoshta do të mund t’i ndërgjegjësojë 30 për qind të kosovarëve, të cilët në një anketë të realizuar nga Qeveria e Kosovës, thanë se nuk besojnë se ekziston COVID-19./Mediafokus.info/