Dita e Shkollës në kohë pandemie…

Nga: Lumnije Tahiri i.d.a.

Nxënës të dashur,  mësimdhënës të respektuar dhe ju të nderuar prindër,

Jemi duke kaluar nëpër një periudhë shumë të vështirë dhe larg njëri-tjetrit, ju nxënës të dashur larg bankave shkollore. Ne larg juve dhe klasave tona e ju prind të dashur kurrë më afër nuk keni qëndruar më fëmijët e juaj.

Edhe në këtë kohë të vështirë kam nderin t’iu uroj  “Ditën e shkollës 10 Majin”, ditë të cilën do të duhej t’ia uronim njëri-tjetrit nga afër, t’i shtrëngojmë njëri-tjetrit dorën e të jemi krenarë që mbi supet tona si mësimdhënës kemi misionin e  shenjtë;  t’iu japim dituri juve më të dashurve tanë,  nxënësve tanë, fëmijëve tanë e tuaj, prind të nderuar.

Edhe pse nuk ndodhemi në objektet tona shkollore, jemi duke e bërë të pa mundurën që edhe nga distanca t’iu ofrojmë juve nxënës të dashur dijen dhe të jemi në dispozicionin tuaj pa asnjë përtesë dhe me shumë dashuri. Edhe në këtë kohë pandemie angazhimi jonë dhe pjesëmarrja dhe vullneti i juaj për mësimnxënie është për t’u admiruar. Prandaj, nuk kemi fije dyshimi që edhe sukseset nuk do të na mungojnë.

Ju drejtohem në veçanti juve maturantë të dashur me falënderimin më të sinqertë për angazhimin e juaj tre-vjeçar dhe rrugëtimin  tonë të përbashkët për mësimnxënie dhe pasurim me njohuri e dituri të reja.

Në kushte normale kjo do të ishte një kohe festive për juve dhe familjet e juaja, sepse ju po përfundoni një etapë të edukimit dhe shkollimit, e cila do te jetë udhërrëfyese për ardhmërinë e juaj, por edhe do t’iu mungoj kjo kohë që gjithmonë do të keni dëshirë të ktheheni prapë në bankat shkollore.

Kjo është një kohë e vështirë jo vetëm për ne, por për gjithë botën, ku jemi duke u ballafaquar me një armik të padukshëm, por që të bashkuar ju mësimdhënës, nxënës dhe ju prind të nderuar, do t’ia dalim dhe do ta mundim këtë armik të fshehur në mesin e njerëzimit.

Edhe një herë urime të gjithëve 10 Maji dita e shkollës sonë, shpresoj se shumë shpejt do të tubohemi të gjithë së bashku në shkollën tonë.

(Autorja është drejtoreshë e shkollës së mesme teknike “Mehmet Isai”, në Gjilan)