Dita ndërkombëtare e të moshuarve: ‘Kështu ka thanë i moçmi’

Sadete Osmani

1 tetori është dita ndërkombëtare e të moshuarve. E prindërve, e gjyshërve, e edhe e jona po qe se arrijmë t’i mbushin 65, për çka lutemi, ngase sigurisht do të mundemi të shkruajmë vëllimet e tjera te sagës ‘Rno për me tregue”.

Të paktë janë ata të cilët nuk kanë kujtime me plot dashuri për gjyshen e gjyshit. Nëse jo ata, janë librat, filmat e rrëfenjat si shtysë për reflektim. Te ne gjithsesi nuk ka bisedë qe nuk niset a nuk mbaron pa fjalinë: ‘Kështu ka thanë i moçmi”, e që për porosi më së shumti kanë mësimin për kujdesin, dashurinë, respektin etj., si aspekte thelbësore e të pashmangshme kulturore. Një dimension i ndërlidhur me këto tipizime i shprehur artistikisht është përshkruar në filmin Amour/Dashuria të Michael Haneke-s në vitin 2012, e i cili ka pas marrë edhe çmime të vlefshme.

Filmi identifikon disa aspekte thelbësore të kuptimit të pleqërisë, kujdesit dhe të vdekjes nëpërmjet rrëfimit të jetës së një çifti bashkëshortor (George dhe Ana). Mund të ilustrohet si “varësi” e bukur e ciklit të ekzistencës dhe lidhjes me njëri-tjetrin, të cilin duke e shikuar të bën të pajtohesh se titulli “Dashuria” është më i duhuri, edhe pse i tërë rrëfimi sillet rreth kujdesit. Ndokush menjëherë do të pyeste se cili në fakt është ndryshimi midis dashurisë dhe kujdesit në martesë. Fundja dashuria s’është gjë tjetër, është kujdes, sendërtim i vetvetes nëpërmjet respektit.

Edhe ky film, i cili zhvillohet pothuajse tërësisht në banesën e këtij çifti, shtron pyetjet në lidhje me kuptimin e kujdesit nëpërmjet nocionit të shtëpisë, përkatësisë, rehatisë, frikës, sigurisë dhe ndjenjave të tjera të ngjashme. Me një fjalë filmi e përshkruan kujdesin si pjesë të pandashme të dashurisë së dy njerëzve, të shprehur si motivim, mbështetje, ledhatim dhe kuptim të nevojës për lartësim njerëzor.

Nëpërmjet skenave aq mirë të realizuara, Haneke paraqet krejt zymtësinë, ngrysjen dhe trishtimin e sëmundjes – problemet e fizike të lëvizshmërisë, dridhjes së trupit, shkuarjes në banjo, krehjes së flokëve etj.,- por megjithatë qëllimi i tij nuk është vetëm ky. Është më shumë se kaq, ngase në të vërtetë autori dëshiron të mihë në pikat e fuqishme dhe të qëndrueshme që shfaqen thellë nëpër emocione, në mendje e në instinkte. E paraqet krenarinë e thellë, lumturinë në copëza të vockla, dëshpërimin e hovshëm, zellin dhe kthjelltësinë e moshësme një lloj vijëzimi interesant, sidomos kur Ana e lut: ‘Të lutem më premto se s’do të më kthesh në spital…”.

E kjo fjali sigurisht që e bart edhe moralin tematik i cili lidhet me besatimin, fisniken dhe pastërtinë e ndjenjave si pjesë të kujdesit bashkëshortor, prindëror, shoqëror etj., e që ndër ne mund të them se për gjate kohë i ka tipizuar familjet fisnike.

E ndava këtë film si mbresë të veçantë, ngase gjatë këtij viti me covid, më së shumti janë prekur të moshuarit dhe shumë dilema etike na janë përvjedhur edhe në media, deri te ato të mugëtat me humor te keq. Gjendja me covid ndoshta do t’i shërbejë një humanizimi më të madh për të moshuarit dhe për kuptimin e qenësishëm të kujdesit familjar, institucional e shoqëror. Ndërsa këto janë disa nga pyetjet që ndryshojnë në varësi te ‘zhvillimeve” shoqërore, në fund të fundit janë gjithashtu edhe brenga personale të secilit, sidomos kur shteti është fragjil. Në atë kuptim, kjo brengë ka të bëjë edhe me mua dhe kujdesin për nënën time, me drojën se mos nuk po mundem t’i gjendem pranë kur të ketë nevojë për mua, e aq me keq kur çdo ditë e dëgjon fjalën ‘mos u bëfsh për spital”.

Ndërsa kujdesi familjar për të moshuarit mund të përjetohet si diçka thellësisht familjare-personale, dhe se askujt nuk mund t’i hysh në familje e ta mësosh se çka do të thotë kujdesi e respekti për të moshuarin, kuptimi i tij në aspektin institucional është shumë më i rëndësishëm, është vetë dinjiteti. E ka emrin shtet inteligjent. Shtet ku prijësit para se gjithash kanë ide dhe qëndrime konkrete për dhënien e kujdesit ndaj njerëzve në nevojë, veçmas për ata që na bënë këmbë e duar.

Ata sot e festojnë ditën e tyre. Gezuar!