Mesazhi i madh për vlerën e të mirës para se të sprovohemi me vështirësinë

Shkruan: Muhamet Pajaziti

Dua të shkëpus një pjesë nga hydbeja e sotme nga mulla Naser Halimi, imami i Xhamisë së Vogël në Gjilan, që para xhematit të tij ka prezantuar gjithmonë shembuj të mirë për jetën dhe ecjen përpara, për edukatën dhe solidaritetin.

Ai, mes tjerash, shkëputi mësime nga historia fetare e bazuar në dokumentime të ndryshme të nxjerra nga libri i shenjtë e i transmetuar nga përsonalitete të larta profesionale e intelektuale.

 “Vlerësojeni shëndetin para se t’ju kaplojë sëmundja”, ilustron tutje hoxha me shembuj nga praktika e vizitave ndaj familjarëve në spital të cilët kaplohen nga sëmundjet, por pasi dalim nga aty themi ‘shyqyr Zotit që jemi mirë’.

Tutje, ky hoxhë vazhdon fjalën e tij duke lidhur realitetin në këtë kohë të vështirë të përballjes me një sprovë të madhe për njerëzimin, kjo e pandemisë globale, duke thënë:  ‘duhet të kemi kujdes që të ruajmë shëndetin tonë, të familjes dhe shoqërisë, para se të prekemi nga sëmundja’.

“Dijani vlerën pasurisë, para se të vije varfëria”, tha ai, teksa paraqiti raste të vështira në këto ditë kur një zotëri që e njihte dikur, iu kishte keqësuar gjendja në aspektin ekonomik në familje në kohë të pandemisë dhe kishte ardhur deri në atë nivel që të kërkojë pako ushqimore për ta ushqyer familjen e tij.

Prandaj, ata që kanë dhënë dhe janë treguar solidarë me nevojtarët, lutej hoxha që t’iu shtohet pasuria e tyre, lutej për shëndetin e tyre, për të mira në këtë botë dhe botën tjetër.

Dhe kështu sillte shumë shembuj të ndryshëm nga hadithet e profetit, shembuj nga libri i shenjtë Kur’ani, e nga realiteti dhe përditshmëria që po jetojmë sot.

Imami i kësaj xhamie barti edhe urimin dhe përgëzimet për atë që e kemi sot e nuk e kishim para 21 vjetësh. Ai uroi për lirinë e vendit tonë duke vazhduar kujtimin për rilindasit tanë, përkatësisht 142-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe kujtimin e të gjithë atyre që u sakrifikuan dhe ndihmuan të jemi të lirë.

Gjithashtu, bëri thirrje që të gjithë këta shembuj dhe këto përkujtime t’i shfrytëzojmë njëkohësisht për ngritjen deri në piedestalet më të larta të shoqërisë sonë, në aspektin e zhvillimit të arsimit, zhvillimit ekonomik të vendit tonë, të edukatës, kulturës, moralit dhe të gjitha fushat e jetës, duke sugjeruar që të gjithë ne të marrim mësime nga hytbeja e fundit e profetit Muhamed s.a.v.s. dhe t’i zabtojmë ato në jetën tonë.

(Autori mban pozitën zyrtar për informim në kuadër të Kabinetit të Kryetarit të Gjilanit. Shkrimi është krejtësisht individual dhe nuk e përfaqëson në këtë rast qëndrimin zyrtar të Komunës së Gjilanit)