Dita që iu dha fund netëve të gjata të tmerrit serb në Kosovë

9 qershori i vitit 1999, dita kur u nënshkrua marrëveshja e Kumanovës, i dha fund dramës së përgjakshme kosovare, edhe pse forcat serbe, në Gjilan vranë edhe më 12 qershor, derisa po tërhiqeshin.

Ditën që në Gjilan, nga drejtimi i jugut, ishin futur ushtarët francezë të trupës paqerujatëse, në Dobërçan vritet hoxha Nysret Rexhepi dhe plagosen e maltretohen shumë banorë të tjerë, shkruan portali mediafokus.info.

Më 12 qershor, pas 78 ditësh ankthi, njerëzit do të dalin nëpër rrugët dhe sheshet e qytetit, nëpër të cilat ende po lëviznin veturat e policisë dhe tanket serbe.

Gjatë atyre ditëve të gjata, u kryen shumë vrasje, shkatërrime, tortura, dhunime e dëbime të popullatës, të cilat po ndodhnin pas një periudhe dhjetë vjeçare të diskriminimit në punë, shëndetësi, arsim, administratë si dhe gjyqeve e “bisedave informative” në polici, të cilat ishin bërë të përditshme.

Vetëm disa ditë para se të fillonin bombardimet e Aleancës, në Gjilan u mbajt gjyqi i 8 shqiptarëve, të cilët ishin akuzuar për terrorizëm dhe 7 prej tyre morën dënime të rënda. Dy u ndaluan në paraburgim dhe më vonë, njëri nga ata, Abdullah Tahiri, u vra në burgun e Dubravës, ndërkaq shoku i tij Ahmet Demiri u plagos dhe më pas u transferua, ashtu në burgjet e Serbisë.

Ibrahim Uruqi, i cili u dënua me të njëjtin grup dhe u lëshua të mbrohej në liri, u vra në betejën e Marevcit, duke luftuar në anën e UÇK-së.

Zyrtarët e Misonit Monitorues, të cilët asokohe ndodheshin në Kosovë dhe po përgatiteshin të tërhiqeshin për t`iu hapur rrugë bombardimeve të NATO-s, gjyqin shqiptarëve të akuzuar për terrorizëm e kishin cilësuar një proces jo të drejtë.

Çka në të vërtetë kishin parë e regjistruar ata në regjionin e Gjilanit, gjatë kohës sa kishin qëndruar për të monitoruar zhvillimet në Kosovë ?

Dy-tri ditë para se të fillonin goditjet e caqeve serbe nga ajri, forcat serbe i ksihin shtuar aktivitetet repressive ndaj popullatës civile.

Kështu, më 19 mars stacionohet në fushat e Karadakut artileria e rëndë, tanke, mjete transporti e të blinduara, kamionë, antiajrorë dhe rreth 5 mijë trupa.

Më 20 maj, ushtrisë jugosllave, tashmë të vendosur në Gjilan, i vijnë përforcime të reja nga drejtimi i Bujanocit.

Fshatarët e Grykës së Karadakut e kishin të qartë se çfarë mund të ndodhte. Serbët po i vringëllonin armët gjithandej dhe po çirreshin “kjo është Serbi”.

Deri nga mesi i prillit, qyteti i Gjilanit përjetoi sulme dhe grabitje në dyqanet private të shqiptarëve, bombardime makinash dhe zjarr snajperësh.

Një civil serb kishte shkuar në shtëpinë e një shqiptari, më 25 mars dhe i kishte kërkuar atij të shpërndante lajmin se të gjithë në lagje duhet të largoheshin.

Më 30 mars forcat paramilitare kishin vendosur një bombë-makinë në lagjen “Ramiz Sadiku”, të banuar me popullsi shqiptare, ku pas shpërthimit të fuqishëm, dy ndërtesa ishin shkatërruar, ndërsa ndërtesa tjera përreth, në një diametër prej 200 metrash e më shumë, ishin dëmtuar.

Më 28 mars u krye një gjuajtje ajrore nga NATO në kazermat e ushtrisë jugosllave në Gjilan. Natën ndërmjet 31 marsit dhe një prillit, Gjilani u bombardua nga Aleanca përsëri. Në mëngjesin e 1 prillit, pasi Aleanca kishte kryer një sulm tjetër ndaj barakave të ushtrisë jugosllave në Gjilan, serbët kishin plaçkitur e shkatërruar dyqanet e shqiptarëve, ndërsa furrat e bukës i kishin djegur.

Rreth datës 4 prill, Gjilani u qëllua me granata nga fshati serb Koretishtë. Disa shtëpi u shkatërruan. Më 5 prill, forcat paramilitare serbe hynë në shtëpinë e një shqiptari dhe kërkuan armë. Paramilitarët e qëlluan vëllaun e të zotit të shtëpisë në këmbë dhe e tërhoqën zvarrë deri në kopsht, ku njëri nga ata, që ishte një civil serb shumë i njohur, zbrazi rreth 30 plumba në trupin e tij.

Nga 15 prilli filluan ta lënë qytetin edhe ata banorë që erdhën këtu me shpresë se situata mund të ishte më e qetë dhe më sigurtë se në fshatra.

Gjithnjë e më i madh ishte nurmi i aryre që po mësyenin në drejtim të kufirit me Maqedoninë, vijon shkrimi i  portalit mediafokus.info.

Pas sulmeve në fshatrat Llovcë e Malishevë, në prill, karvane të gjata njerëzish, u panë duke u larguar nga shtëpitë e tyre. Harku i dhunës po zgjerohej.

Paramilitarët me maska po hynin nëpër shtëpi. Rrjetat në fytyrë po i mbanin për të mos u identifikuar, meqë mjaft prej tyre ishin serbë lokalë. Në një shtëpi ia thyen këmbën një plake, meqë ajo nuk kishte mundur t`ua hapte derën me shpejtësi, siç kishin kërkuar ata.

Natën ndërmjet 6 dhe 7 majit, në rrugën “Bujana”, në Gjilan, në orën 2 të natës, paramilitarët lokalë hyjnë në shtëpinë e një plake 70-vjeçare dhe i kërkojnë para. Ndoshta, të pakënaqur me shumën që morën, ata e qëlluan në stomak plakën dhe pasi ajo ra në gjunjë, e goditën edhe në dorë dhe në shpatull.

Në fund e qëlluan edhe njëherë, para se të largoheshin, duke e lënë të vdekur. Djali i saj e kishte njohur njërin nga ata që kryen krimin ndaj nanës së tij, në atë mesnatë.

Gjatë muajit maj, shumë njerëz u larguan nga qyteti. Kishte mungesë të ushqimit, por ndodhi edhe largimi me forcë nga policia.

Më 30 maj, policia hyri shtëpi për shtëpi në qytet, arrestoi e turturoi. Një grua i kishte vërejtur nga dritarja e saj policët duke e rrahur një fqinjë, përpara shtëpisë së tij. Një qytetar tjetër në lagjen “Ramiz Sadiku” e kërcënuan se do t`ia vrisnin gjithë familjen, nëse do t`i gjenin armë.

Policia, nga fundi i majit kishte filluar një regjistrim të qytetarëve, të cilët gjendeshin në Gjilan dhe njerëzit filluan të frikësoheshin se po bëhej zgjedhja e atyre që duhej të likuidoheshin. Dyshime kishte shprehur edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Evidentimin e kishte urdhëruar kryeshefi i shërbimit sekret serb.

Ushqimet kishin mbaruar. Furrat e “shtetit” nuk ndanin bukë për shqiptarët. “Shkoni te NATO-ja”, kërcënonin serbët. Edhe spitali i Gjilanit nuk i pranonte shqiptarët që kishin nevojë për trajtim. Stafi mjekësor po i refuzonte edhe njerëzit që kishin nevojë për shërim. Të gjithë i konsideronin ”terroristë”.

Gjendja e tillë po bëhej e papërballushme. Por, popullata sikur ishte “ambientuar” me këto rrethana dhe mbi gjysma e saj nuk i kishte braktisur shtëpitë e veta.

Vetëm më 12 qershor, u pa se sa i madh ishte numri i atyre që kishin jetuar në rrethin e tmerrit për 78 ditë të tëra.

E frikshme dhe e gjatë ishte veçmas nata e 11 qershorit, kur forcat serbe po grupoheshin. Gjithë atë natë nuk kishn pushuar daullet dhe rafalet e automatikëve. Të gjithë dyshonin se po luhej “nata e thikave të gjata”, që serbët e kishin paralajmëruar për fund në Gjilan.

Më vonë është kuptuar se serbët nuk kishin besuar se lufta do të përfundonte aq shpejt dhe, më 11 qershor ishte bërë vonë për të kryer një masakër tjetër në Anamoravë, sepse duhej fshehur shumëçka dhe kohë më nuk u kishte mbetur./mediafokus.info