Dita që u dha fund netëve të gjata të terrorit serb në Kosovë

12 qershori i vitit 1999, është dita që u dha fund natëve të gjata të terrorit serb  në Kosovë, për të rikthyer shpresën tek një popull i shtypur me shekuj dhe që po rrezikohej të zhdukej fare nga trojet e veta.

Më 12 qershor 1999 forcat serbe pranuan dështimin përfundimtar në Kosovë dhe nisën tërheqjen, sepse më nuk kishte vend për ta aty ku ishte futur NATO dhe UÇK-ja, shkruan Mediafokus.info

Nga 24 marsi e deri më 12 qershor, për 78 ditë, forcat serbe kryen shumë vrasje, shkatërrime, tortura, dhunime e dëbime të popullatës, të cilat po ndodhnin pas një periudhe dhjetë vjeçare të diskriminimit në punë, shëndetësi, arsim, administratë si dhe gjyqeve e “bisedave informative” në polici, të cilat ishin bërë të përditshme.

Dy-tri ditë para se të fillonin goditjet e caqeve serbe nga ajri, forcat serbe i kishin shtuar aktivitetet represive ndaj popullatës civile.

Serbët po i vringëllonin armët gjithandej dhe po çirreshin “kjo është Serbi”.

Më 28 mars u krye një gjuajtje ajrore nga NATO në kazermat e ushtrisë jugosllave në Gjilan.

Natën ndërmjet 31 marsit dhe një prillit, Gjilani u bombardua nga Aleanca përsëri.

Në mëngjesin e një prillit, pasi Aleanca kishte kryer një sulm tjetër ndaj barakave të ushtrisë jugosllave në Gjilan, serbët kishin plaçkitur e shkatërruar dyqanet e shqiptarëve, ndërsa furrat e bukës i kishin djegur.

Rreth datës 4 prill, Gjilani u qëllua me granata nga fshati serb Koretishtë. Disa shtëpi u shkatërruan.

Pas sulmeve në fshatrat Llovcë e Malishevë, në prill, kolona të gjata njerëzish u panë duke u larguar nga shtëpitë e tyre.

Harku i dhunës po zgjerohej. Paramilitarët me maska po hynin nëpër shtëpi.

Policia kishte filluar një regjistrim të qytetarëve, të cilët gjendeshin në Gjilan dhe njerëzit filluan të frikësoheshin se po bëhej zgjedhja e atyre që duhej të likuidoheshin.

Dyshime kishte shprehur edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Evidentimin e kishte urdhëruar kryeshefi i shërbimit sekret serb.

Ushqimet kishin mbaruar. Furrat e “shtetit” nuk ndanin bukë për shqiptarët.

Spitalet nuk pranonin shqiptarët që kishin nevojë për trajtim.

Të gjithë i konsideronin ”terroristë”.

Pavarësisht të gjithave, një numër i madh i popullatës nuk i kishin braktisur shtëpitë, duke bërë kështu një lloj qëndrese e rrezistence ndaj pushtuesit, i cili kishte për qëllim ta kthente Kosovën në një tokë të djegur.

Vetëm më 12 qershor, u pa se sa i madh ishte numri i atyre që kishin jetuar në rrethin e tmerrit për 78 ditë të tëra.

Pa 24 marsin dhe pa luftën e UÇK-së, pa rezistencën paqësore të Ibrahim Rugovës dhe pa përpjekjet e gjata të patriotëve shqiptarë për liri e mëvetësi, 12 qershori i vitit 1999, dita kur forcat serbe kapituluan, ndoshta nuk do të kishte arritur ende. /Mediafokus.info