Djali grushton babanë, përfundon në pranga

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese. Jo rrallë, viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Ferizaj, ku një 23-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

60-vjeçari e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një konflikti verbal, djali e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur me grushte.

Për pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore, por edhe shqetësim e frikë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i riu është dërguar në mbajtje dhe rasti është iniciuar si ‘Dhunë në familje’.