Djali i mulla Rifat Kokajt me krenari tregon rrugën që e mban emrin e babait

Mulla Rifat Koka, hoxha i ndjerë, që ishte ndër më të njohurit e kohës në Anamoravë, nuk jeton tash e katër vjet, por një rrugë në lagjen Zabel i Sahitagës së Gjilanit e mban emrin e tij, shkruan Mediafokus.info.

Një fotografi është postuar në rrjete sociale nga të afërmit, ku djali i mulla Rifatit, haxhi Halili, shihet teksa bën me dorë në shenjë krenarie, duke treguar tabelën me emrin e babait.

Mulla Rifat Haliti, i njohur si mulla Rifat Koka për shkak të prejardhjes nga fshati Kokaj (Gjilan), ka ndërruar jetë më 25 shkurt 2018, në moshën 99 vjeçare.

Në ditën e vdekjes, Islam Osmani e kishte vlerësuar lartë veprën e mulla Rifatit, duke thënë se ai gjithherë ishte në shërbim të popullit, jo vetëm si hoxhë-imam, por një kohë edhe shërbeu edhe si mësues, atëherë kur ishte nevoja, pas Luftës së dytë botërore, ua mësonte fëmijëve të fshatit ku shërbente si imam edhe alfabetin e gjuhës shqipe dhe i edukonte kombëtarisht.

“Ishte ai që e ndërtoi edhe objektin e shkollës shqipe në fshatin e tij të lindjes në Kokaj. Ndërkaq djemtë e tij para pak vitesh ndërtuan Xhaminë e Zabelit në Gjilan”, kishte shkruar ai.

Mulla Rifat Koka ka zënë vend edhe në librin e Muhamed Sadriut “Bukuritë e Rrudhave”./mediafokus.info/