Djaloshi nga Zhegra e Gjilanit konfirmohet kapiten i Baselit për sezonin 2026/2027

Xherdan Shaqiri do të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit te Baseli edhe për sezonin 2026/2027.

Klubi zviceran ka konfirmuar se reprezentuesi shqiptar do të udhëheqë skuadrën, ndërsa portieri Jonas Omlin është emëruar zëvendëskapiten, transmeton tutje albinfo.ch.

Sipas raportimit të gazetës zvicerane Blick, pjesë e ekipit të kapitenëve janë edhe mbrojtësi Flavius Daniliuc dhe sulmuesi shqiptar Albian Ajeti.

Ndërkohë, këta katër futbollistë, së bashku me Beçir Omeragiq, Nicolas Vouilloz dhe Metinho, përbëjnë këshillin e lojtarëve me shtatë anëtarë, organ që ka rol të rëndësishëm në funksionimin e skuadrës.

Këshilli i lojtarëve është përgjegjës për zbatimin e rregullave të brendshme, ruajtjen e disiplinës dhe komunikimin mes futbollistëve dhe stafit teknik.

Trajneri i Baselit, Stephan Lichtsteiner, theksoi rëndësinë e këtij grupi drejtues, duke bërë të ditur se mban kontakte të vazhdueshme me anëtarët e këshillit.

“Shkëmbej informacione me këta lojtarë çdo javë. Pres që ata të vijnë tek unë nëse diçka nuk shkon, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje së bashku”, është shprehur Lichtsteiner.