“Dje isha ku je ti, nesër do të jesh ku jam unë”
Dr Shevqet Mehmet
(Shkrimi ribotohet me rastin e trevjetorit të vdekjes së autorit. Me fjalinë “Dje isha ku je ti, nesër do të jesh ku jam unë” Shevqeti tregohej i ndërgjegjshëm kundrejt vdekjes, ndonëse si mjek duhej të luftonte çdo ditë me të).
……………………
Si nxënës i shkollës së mesme, në vitet `70-ta, banoja në Çarshi Mëhallë, ku shumica e fëmijëve të lagjes ishin të lindur ndërmjet viteve 1953-1957.
Asokohe, imam në xhaminë e madhe Shehzade ishte mulla Halimi, në Atik xhami – myezin ishte Taipi i Dobërçanit, ndërsa në xhaminë e vogël të Deremëhallës ishte mulla Mustafa.
Qyteti kishte rreth 23 mijë banorë.
Lagja Gavrani (Dardania) sa kishte filluar të ndërtohej, Çenar Çeshma po ashtu ishte si një foshnje në rritje, ndërsa shtëpitë e Abaz Bukovikut, Dem Kovaçit, Vesel Koretinit ishin të fundit.
Për vdekjen e ndonjë qytetari, njoftimin e jepte Mulla Halimi, që e kishte zërin disa oktava më lartë.
Qytetaret ndalonin për të marrë vesh se kush kishte vdekur.
Ndaleshin edhe automobilat e pakët, thuajse disa minuta jeta merrte pushim.
Kur mbaronte Mulla Halimi, në mesin e qytetarëve fillonte muhabeti për atë që kishte vdekur, flisnin se duhet shkuar në varrim, në ngushëllime te familja.
Varrimet në Gilan, në atë kohë kryheshin me drekë ose ikindi.
Posa familja njoftonte për vdekjen, të gjithë fqinjët shkonin për ngushëllim, për t`iu dhënë përkrahje morale dhe psikologjike familjarëve.
Fqinjët ofronin shtëpitë e tyre për konak. Çdonjëri ishte zemërgjerë, ofronte çdo ndihmë që kishte mundësi.
Pastrimi i kufomës, deri në vitin 1996, bëhej nëpër shtëpia. Pasi kufoma falej në xhami, ku në radhë, krahas pleqve, futeshin edhe të rinj, atëherë bartej në krah deri te varrezat.
Ne fëmijët e Çarshi Mëhallës pritnim në qendër kufomën për të bartur në krahë.
Prindërit na kishin edukuar se bartja e kufomës është sevap.
Xhemati shkonte pas tabutit. Xhemat me automobila atëherë nuk kishte.
Rrugëtimit të fundit të të vdekurit, i bashkëngjiteshin shumë qytetarë.
Ata që qëllonin në trotuare, ndaleshin dhe hiqnin kapelat për të respektuar kufomën dhe xhematin, derisa mbaronte kolona.
Kështu vepronin edhe ata që ndodheshin në park, ngriheshin në këmbë. Ata që ishin në shitore, dilnin para derës, hiqnin kapelat dhe i përkuleshin kufomës.
Edha automobilat e pakët ndaleshin. Vozitësi fikte makinën, dilte jashtë saj dhe i përkulej kufomës në shenjë nderimi.
Edhe lustruesit e këpucëve ngriheshin në këmbë.
Gjithkah qetësi, derisa kalonte kufoma.
Kjo ishte një filozofi qytetare, ishte një shpirtmirësi, një kulturë respekti për qytetarin e vdekur.
Te serbët, kufoma bartej me automobil. Printe Milivoja me kryq, pas tij shkonin priftërinjtë.
Ndonjëherë të vdekurin, serbët e përcillnin me muzikën e bandës së Rashid Salijeviqit.
E njëjta kulturë qytetare, dallime nacionale nuk kishte.
I pari qytetar me përkatësi myslimane që u përcoll në varreza me bandë muzikore ishte Abaz Ajeti – Bukoviku.
Më kujtohet se si, me rastin e vdekjes së Shaban Velekincës, Vita inxhinieri, tani i ndjerë, u ndal me automobil për të respektuar xhematin.
Në vitet e `80-ta kufomat filluan të barten me kamionin e ndërmarrjes “16 Nëntori” ose kamionin e Namon Hajkobilles.
Axha Namon e voziste vet kamionin, ose e angazhonte djalin Shabanin.
Kompensim për këtë shërbim nuk kishte.
Rruga kryesore ishte me plepa dhe blina. Në korrik, blirët lëshonin aromë ngacmuese.
Kubëzat në rrugë ishin të renditur si pjesët e bakllavasë në tepsi. Trotuaret ishin me pllaka katrore të madhësisë 25x25cm.
Demush Klaiqi dhe Emin Sherifi, të cilët ishin drejtorë në “16 Nëntori” kishin urdhëruar që kamionit t`i shtrohet tepihu dhe të jetë i pastër.
Kështu, kufoma bartej deri te varret, që ishin pas kombinatit. Hoxha kryente detyrën e vet.
Konaku për të pame, zakonisht lihej në shtëpinë e ndonjërit prej fqinjëve dhe për 7 ditë rrinte i hapur për vizitorë.
Më 1993 u ble kombi me organizimin e dr. Shevqetit dhe kovaçit Elez Agushi.
Të njohur për vizita në konak, ishin familja e mulla Mustafës me nipat e tyre, Xhemalin, Xhavitin, Sadullahun, livoçasit me axhën Asllan, Mehmetalët dhe Saliqavët, Mulla Sherifët, Klaiqët.
Solidarizimi me familjen ku kishte rënë vdekja, ishte nevojë shpirtërore.
Familjet fqinje dhe akrabatë sillnin drekë në familjen e të vdekurit, për njerëzit që pritnin vizitorët.
Edhe gratë shkonin për ngushëllime në shtëpinë e të vdekurit.
Në ditën e shtatë ftoheshin hoxhallarët për të kënduar qylimet.
Pasonin vizitat familjare në shtëpinë e të vdekurit. Ishte një zinxhir emocional që kishte përmbajtje, që kishte melodinë e vet të emocioneve.
Në ditën e 40-të këndohej Kuran nga ana e hafëzëve, vizitohej varri i të vdekurit për të kënduar jasin.
Në fund, në dalje nga varret, për të gjithë të vdekurit këndohej një dua, në shenjë respekti për prindërit, vëllezërit dhe motrat tona të njohura dhe të panjohura.
Ishte ky një respekt për njerëzit që kanë lënë një kujtime të mira në botën nga e cila janë larguar tashmë.
Pas vitit 1995, kjo kulturë qytetare filloi të zbehet. Varrimet zakonisht behën me automobil, pak përcjellës në këmbë.
Njerëzit nuk respektojnë kufomën, nuk ndalen automobilat, as radiot në makina.
Pas luftës dolën bidate të reja. Konaku mbahet hapur vetëm tre ditë, thuajse njeriu i vdekur nuk ishte anëtar i familjes, thuajse njerëzit kanë shumë punë, thuajse emocionet e familjes nuk janë me rëndësi.
Më kujtohet viti 1985, në Zagreb, kur djali i pronares ku banoja, me rastin e vdekjes së prindit, më tha: “shihemi në Mirogoj në varret e Zagrebit”.
Kaq domethënie kishte prindi për të.
Si po duket, tjetërsimi ka filluar edhe në Kosovë dhe Gjilan.
Lidhja emocionale me prindër dita-ditës po tëhollohet dhe pritet të këputet krejtësisht në të ardhmen.
Edhe hoxhallarët po kontribuojnë në këtë skenar.
Na ishte një kohë kur qyteti kishte kulturë dhe shpirt qytetarie, ndërsa sot pritet edhe kjo të varroset.
Në një varr në Gjilan shkruan: “Dje isha ku je ti, nesër do të jesh ku jam unë”. /Mediafokus/