Doktoresha Kadolli: Virusi lë pasoja për kohë të gjatë

Komuna e Vitisë ka rezultuar sot me 14 raste të reja pozitive me COVID-19, derisa një person, i cili e kishte shëruar virusin, ka ndërruar jetë.

Drejtoresha e QKMF, dr Vjollca Kadolli ka bërë me dije se rastet pozitive janë nga Pozherani, Sllatina e Epërme, Ramnishtë, Radivojci, Vërbani, Gërmova, Sadovina e Muhaxherëve, Tërpeza, Sadovina e Jerlive, Begunca dhe nga qyteti i Vitisë.

Deri më sot komuna e Vitisë ka të konfirmuar 1.590 raste pozitive, ndërsa aktiv janë 161 pacientë, prej tyre 3 të spitalizuar.

‘Sot kemi 28 të shëruar, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 1361’, ka thënë doktoresha Kadolli.

Ajo shpreh keqardhje për numrin e të vdekurve, që ka arritur në 68, që kur është paraqitur virusi në Kosovë.

‘Ditëve të fundit kemi pasur disa qytetarë që kanë humbur jetën nga COVID, duke çuar numrin e të vdekurve nga virusi në 68’, thotë drejtoresha Kadolli, duke nënvizuar faktin se virusi po shkakton pasoja për kohë të gjatë.

Një familje nga Tërpeza sot ka humbur një anëtar të saj.

‘Edhe pse kishte mundur luftën me virusin, sot ndërroi jetë drejtori i shkollës Avni Sokoli, nga pasojat që i kishte lënë virusi’, thotë dr Kadolli.

Duke i shprehur ngushëllime të sinqerta familjes Sokoli për humbjen e familjarit të saj, ajo ua rikujton qytetatëve që t’i respektojnë masat parandaluese, sepse kjo është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi.