Dorasi dhe viktima janë fëmijtë e aktorit të ndjerë kosovar Hazir Myftari
Një ngjarje e rëndë ndodhi të dielën në Prishtinë, ku për motive ende të panjohura, një person dyshohet se ka therrur për vdekje me thikë vëllain e tij.
Ngjarja ka tronditur familjen Myftari, ku ndodhi krimi i rëndë dhe humbi jetën Auroni, ndërsa i dyshuar është vëllai i tij, Genti.
Të dy raportohet të jenë vëllezër të regjisorit kosovar Agon Myftari, përkatësisht djemtë e ish-aktorit të njohur, Hazir Myftari.
Në emrër të familjes, Agoni ka kërkuar mirëkuptim nga mediat që të mos spekulohet për rastin e vdekjes së Auron Myftarit, anëtarit të familjes i cili dyshohet se u vra nga vëllai i tij, Gent Myftari.
Ai ka bërë të ditur se varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër në varrezat e qytetit në Arbëri.
Postimi i plotë:
Të dashur familjarë e miq,
Me dhimbje të thellë e me zemër të thyer, ju njoftojmë se djali e vëllau jonë, Auron (Hazir) Myftari, në rrethana tragjike, mbrëmë ka humbur jetën.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, në varrezat e qytetit në Arbëri. Për detajet e sakta rreth varrimit, do të njoftoheni me kohë.
Rrethanat që kanë dërguar në humbjen e parakohshme të jetës së Auronit, janë duke u hetuar nga policia. Prandaj, kërkojmë mirëkuptim që të mos spekulohet deri sa organet e rendit ta japin versionin e tyre për ngjarjen tragjike.
“Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi” (Kur’an, 2:156).
Shpirti i tij u prehtë në paqe!
Me respekt, Familja

