Dorëhiqet kryesia e Skifterave pas asaj që ndodhi në Gjilan

Kryesia e Skifterave, tifozë të klubit Gjilani, kanë njoftuar dorëheqjen pas asaj që ndodhi në ndeshjen Gjilani-Ballkani, ku u lëndua portieri mysafir.

“Kryesia e Skifterave ka vizituar në ambientet spitalore Stivi Frashërin për të parë nga afër gjendjen e tij shëndetësore dhe për të shprehur keqardhje për ndodhinë!

Gjatë pjesës së dytë individë nga tribuna vendase janë ofenduar anasjelltas me portierin musafir dhe në momentin e golit nga euforia e futjes në fushë, një person ka shtyrë Frashërin dhe një tjetër e ka shkelmuar, ndërkaq kanë qenë kryesia e Skifterave të cilët i janë hudhur sipër për ta mbrojtur!

Distancohemi publikisht nga ky akt i shëmtuar, nuk është në traditën tonë sulmi ndaj lojtarëve të futbollit, përtej kësaj kundrejt një ekipi si Ballkani dhe tifozëve e qytetarëve të Suharekës që gjithmonë na kanë bërë të ndihemi si në shtëpinë tonë!

Kushdo me qëllim njollosjen e vlerave tona sportive dhe tifozerike duhet të përgjigjet për veprimet e veta!

Kryesia e Skifterave e indinjuar thellësisht nga ngjarja deklarohet për DORËHEQJE të PAREVOKUESHME si bartës të organizimit dhe paraqitjeve të grupit!” – thuhet në komunikatën për media.