Dorëzohet në polici ‘Ismet Kanadezi’, dyshohet për gjuajtje me armë në Prishtinë

Gazeta Sinjali raportoi të mërkurën për një incident që ka ndodhur dje në rrugën ‘Bajram Bahtiri’ në Prishtinë, ku janë dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri. Për pasojë, një person ka marrë lëndime trupore, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke iu shpëtuar prangave të Policisë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Ismet Salihun, i njohur si “Ismet Kanadezi”, i cili tashmë është paraqitur vet në Polici, me  ç’rast ka dorëzuar edhe armën që dyshohet se e ka përdorur.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, Ismet Kanadezi e ka goditur me armë në kokë viktimën e më pas ka shtënë me armë zjarri në drejtim të panjohur.

Motivet e incidentit janë akoma të panjohura, teksa tashmë hetimet po zhvillohen për të zbardhur rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.

Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 12:30, kemi  marrë informatën për të shtëna me armë zjarri të ndodhur në rrugën ” Bajram Bahtiri” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast gjatë përleshjes fizike është lënduar një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor”, tha ajo.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.