Dosja 138 – një material faktografik mbi krimet serbe në Gjilan

Gjilani e ka përgatitur prej kohësh dosjen për krimet dhe dëmet e luftës, e cila njihet si ‘Dosja 138’ dhe përmban të dhëna dhe dëshmi për krimet dhe dëmet luftës, të evidentuara nga një komision i posaçëm, në krye me Sami Hoxhën, shkruan Mediafokus.info

Dosja 138 është një dëshmi për luftën që ka ndodhur këtu gjatë muajve mars, prill e qershor të vitit 1999, e cila, nëse jo për asgjë tjetër, do t`iu shërbejë gjeneratave të ardhshme për ta njohur historinë e këtij vendi si dhe rrugëtimin plot sakrifica e sfida deri te liria.

Dosja 138 ka shënime mbi të vrarët dhe masakrat e kryera në rajonin e Gjilanit, të shoqëruara me faktografi, rrëfime e dëshmi të forta për krimet e kryera nga forcat serbe.

Në rajonin e Anamoravës janë vrarë 116 persona të të gjitha moshave, gjinive dhe profesioneve, 75 janë plagosur, ndërsa 4 rezultojnë të zhdukur.

Krejt ky tmerr ka ndodhur ndërmjet datës 24 mars – 20 qershor 1999.

Edhe pas hyrjes së forcave të NATO-s në Gjilan, në mënyra të ndryshme janë vrarë 15 persona.

Sa u përkjet dëmeve, tërësisht janë djegur 950 shtëpi, pjesërisht 452, ndërsa 7321 shtëpi janë plaçkitur.

Në kohën kur është bërë evidentimi, dëmet në ekonomitë familjare janë llogaritur mbi 177 milionë marka, që tani i bie të jenë mbi 88 milionë euro. /Mediafokus.info