Drejtësia nuk bëhet në televizor
Zanë Mali
(Kush vendos gjurin në qafën e një njeriu që nuk reziston më, e di shumë mirë se çfarë pasoja mund të ketë. Dhe kur e bën gjithsesi, kjo nuk është “gabim”, por përgjegjësi penale).
Çudia e kohës sonë është se ndërkohë që brenda sallës zhvillohet procesi gjyqësor, jashtë saj, në ekranet televizive, zhvillohet një tjetër proces, ai i manipulimit të opinionit publik.
Avokati që paradite mbron klientin në sallën e gjyqit, pasdite shfaqet në studio televizive, i gatshëm të japë një version tjetër të realitetit.
Jo më përpara gjyqtarëve, por përpara kamerave, me ton të butë e me fjali të përgatitura, për të ulur peshën e asaj që të gjithë e pamë me sytë tanë.
E vërteta nuk ka nevojë për interpretim. Një i ri u shtri përdhe, pa ndjenja, ndërsa disa zyrtarë policorë qëndronin mbi trupin e tij.
Dhe njëri prej tyre siç është konfirmuar nga pamjet i ka vendosur gjurin në qafë.
Askush nuk mund të na bindë se jemi përballë një pakujdesie.
Nëse raporti mjeko-ligjor, vërteton se vdekja ka ardhur si pasojë e këtij veprimi brutal, atëherë nuk kemi të bëjmë me neglizhencë, por me vrasje me dashje eventuale, siç e përkufizon qartë Kodi Penal.
Kush vendos gjurin në qafën e një njeriu që nuk reziston më, e di shumë mirë se çfarë pasoja mund të ketë.
Dhe kur e bën gjithsesi, kjo nuk është “gabim”, por përgjegjësi penale.
Mediat, në vend që të bëjnë punën e tyre të informojnë me përgjegjësi shpesh i japin zë relativizimit, duke krijuar skenare paralele, me përpjekje për të barazuar palët, për të shtuar dyshimin aty ku ka një fakt të pastër.
Drejtësia nuk është spektakël. Nuk është duel fjalësh, e aq më pak lavd për oratorinë e ndokujt që di të flasë bukur në një studio televizive.
Sado ta zbukurosh fjalën, nuk mund të fshehësh një vdekje të ndodhur para kamerave.
Këtë nuk e lan asnjë debat.

