Drejtori i Arsimit në Gjilan bënë një dedikim të veçantë për maturantët e kësaj gjenerate

Në rrethana të pazakonta, maturantët kosovarë po e përmbyllin ciklin e shkollimit të mesmë, për shkak të rrezikut nga Covid 19.

Ata nuk patën fat që të ecnin rrugës së zakonshme të Maturës dhe të përjetojnë gëzimin e të qenit Maturantë.

“Sigurisht, edhe ne do të ishim bashkë me ju në këto festa të zakonshme të Maturës, duke u gëzuar me ju teksa shijoni fundin e një faze, ndarjen nga një botë dhe hedhjen e hapit tjetër, me plot pasiguri në një botë të re; teksa projektoni të ardhmen, përqafoheni me lotë gëzimi për rritën e lotë pikëllimi për ndarjen”, ka shkurar drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica.

Ky është dedikimi i tij për maturantët e kësaj gjenerate: 

Edhe ne do të donim t”i shihnim festat, lotët, gëzimin, përqafimet dhe ëndrrat tuaja në këtë Maturë tuajën.

Megjithkëtë, ju tashmë jeni të rritur dhe i kuptoni ligjësitë e jetës, edhe faktet kur kërcënohet ajo.

Ju tashmë do të hyni në një botë tjetër; në botën e të rriturve, dhe besoj tashmë keni projektuar shtigjet nga do të shkelni.

Nuk do të jetë e lehtë aspak sepse e tillë është bukuria e të jetuarit, po unë shpreh besimin se ju tashmë jeni të përgatitur për të vazhduar para.

Besoj shumë se bashkarisht ia kemi dalur këto vite. Ju na keni gëzuar e kënaqur me sukseset tuaja e ne jemi përpjekur t’ju drejtojmë drejt të tjera sukseseve. Besoj t’ia kemi dalur.

Më lejoni që duke ju uruar për Maturën t’ ju shpreh gjithë admirimin tim, gjithë besimin, dëshirat më të mira dhe më të mirin fat për secilin prej jush.

Më lejoni gjithashtu të falënderoj edhe pedagogët tuaj e kujdestarët e klasëve për gjithë përkushtimin në këto vite që ju të jeni këta që jeni.

Edhe një detyrë të përbashkët do ta kemi – Testin e Maturës. Unë besoj shumë se do t’ia dilni, pavarësisht se muajt e fundit ishin shumë sfidues në të gjitha drejtimet.

Ju falemnderit për gëzimet e qeshjet tuaja; ju falemnderit për sukseset e përpjekjet; ju falemnderit për çastet plot lumturi e çastet sfiduese. I falemnderit Zotit që jeni këta që jeni.

Paçit bekimin e Zotit në rrugëtimin tuaj më tej ashtu siç keni gjithë besimin e dashurinë tonë. Ju priftë e mbara e fatbardhësia e sukseset ju përcjellshin kudo.

Gëzuar Maturën! Zoti ju bekoftë!