Drekat e komunave – sa shpenzuan kryetarët në muajt e fundit?
Kryetari që po del se ka kursyer më së shumti që nga marrja e mandatit, është Shaqir Totaj i PDK-së, në Prizren.
Gazeta Nacionale bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, ka siguruar shpenzimet e shumicës prej kryetarëve.
“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se kryetari dhe stafi në kabinetin e tij nga data e marrjes së detyrës, në bazë të të dhënave që i kemi në drejtori, nuk figuron asnjë shpenzim”.
Kjo ishte përgjigjja që arriti në adresën e gazetës Nacionale nga komuna e Prizrenit, në lidhje me shpenzimet e kryetarit të komunës, Shaqir Totaj.
Pra, shpenzimet e Totajt po dalin të jenë zero në lidhje me dreka zyrtare e mëditje të tjera.
Zero kanë thënë se i ka shpenzimet për dreka zyrtare edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci. Megjithatë, Lladrovci dhe kabineti i tij duket se kanë shpenzuar pak më shumë në lidhje me furnizimet me ushqim dhe pije.
3 mijë e 407 euro janë shpenzuar nga zyra e kryetarit të Drenasit për furnizime të tilla, në periudhën korrik-dhjetor 2021.
Kurse mbi 1 mijë e 100 euro të tjera, janë shpenzuar për këto furnizime në muajt e parë të vitit 2022.

Kur përmenden kryetarët që i takojnë Partisë Demokratike të Kosovës, në mesin e tyre është edhe Bedri Hamza në Mitrovicën e Jugut.
Për dy dreka zyrtare që nga marrja e mandatit, Hamza dhe kabineti i tij kanë shpenzuar 1 mijë e 302 euro.
Pak më shumë ka shpenzuar për dreka zyrtare kolegu i tij në Skënderaj. Fadil Nura, i cili u bë kryetar pasi e mposhti Bekim Jasharin, që nga marrja e mandatit ka shpenzuar 1 mijë e 682 euro për dreka zyrtare.
Për shpenzime në dreka nga PDK-ja “bajrakun” po del se e ka kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi. Bashkë me kabinetin e tij ai kishte shpenzuar më shumë se 8 mijë euro për dreka.
Megjithatë, Idrizi i kishte reaguar raportimit të Nacionales, duke thënë se ka shpenzuar dukshëm më pak se paraardhësi i tij, Xhafer Tahiri.
Dy dreka zyrtare i kishte organizuar edhe komuna e Ferizajt, me në krye Agim Aliun.
Njëra ishte gati 1 mijë euro me një klub shqiptar të futbollit nga Gjermania, ku pati Red Bulla, bukë pogaçe e mish.

Kryetari “çlirimtar” i Shtimes, Qemajl Aliu, që nga marrja e mandatit, në dy dreka të ndara, ka shpenzuar 1 mijë e 200 euro.
Megjithatë, vetë Aliu ka thënë se këto dy dreka janë organizuar nga kabineti i tij me disa raste përvjetorësh e përkujtimesh.
Për kryetarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gazeta Nacionale ka siguruar shpenzimet e kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini.
Në gjashtë muajt e fundit, Gjini ka shpenzuar 2 mijë e 315 euro për dreka zyrtare. Kurse, Gjini nuk ka marrë mëditje e as nuk ka pasur udhëtime jashtë vendit.
E ai që e la AAK-në për t’iu bashkuar LDK-së, Xhafer Gashi në Obiliq, po del se nuk ka shpenzuar shumë. Komuna ka bërë të ditur se pak mbi 900 euro i ka shpenzuar kabineti i Gashit për dreka zyrtare në gjashtë muajt e fundit.
Ai që erdhi nga Londra për t’u bërë kryetar i kryeqytetit, Përparim Rama, ka udhëtuar pak jashtë vendit. Për mëditje e udhëtime ai ka marrë 970 euro.
Për dreka zyrtare në kryqytet, Rama ka shpenzuar 249 euro. Kurse për një takim që e kishin mbajtur në Pejë bashkë me kabinetin, për akomodim e dreka, ishin shpenzuar pak më shumë se 3 mijë euro.
Në gjashtë muajt e fundit, mbi 2 mijë euro për dreka zyrtare janë shpenzuar edhe nga Burim Berisha i LDK-së në komunën e Fushë Kosovës.
Në shkrimin e Nacionales është përfshirë edhe Lutfi Haziri, i cili nuk është kryetar Komune në këtë mandat.
Gazeta Nacionale në kuadër të serisë së raportimeve për shpenzimet e drekave e udhëtimeve, ka raportuar edhe për ministrat dhe kryeministrin Albin Kurti.

