Dritën e pret përballje e vështirë me Ballkanin, Gjilani do ta ketë më lehtë përballë Feronikelit

Sot (e mërkurë), në kuadër të javës së 21-të të Superligës së Kosovës në futboll, dy skuadrat tona synojnë pikët maksimale, për të mbajtur hapin në garën e fortë për titull, ku pretendentë të fortë janë edhe Ballkani, që aktualisht kryeson dhe Prishtina, që ka tri pikë më pak.

Drita (40) nuk do ta ketë aspak lehtë ta realizojë këtë qëllim, përballë Ballkanit (41), por me një lojë të mirë, çfarë ka treguar ajo kohëve të fundit, ka gjasa reale që të paktën të mos kthehet me humbje, ndërsa Gjilani (38) para shikuesve të vetë, pritet ta përballojë më lehtë pengesën e quajtur Feronikeli (31).

Edhe nëse Ballkani arrin t`i mbajë tri pikë për vete, renditja në tabelë nuk do të ndryshojë shumë, por shkëputja nga pasuesit do të thellohet.

As Prishtina (38) nuk do ta ketë lehtë përballë Ferizajt (22), që po lufton për ekzistencë dhe ende ka gjasa ta ruaj statusin e anëtarit të Superligës, nëse kthehet  i pamposhtur nga kryeqyteti, gjë që do ta ketë vështirë./mediafokus.info