Drogat përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin

Ma. sc. Besnik Sherifi 

(Dita ndërkombëtare kundër abuzimit të drogave)

Kjo ditë simbolizon Ditën ndërkombëtare të luftës kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave.

Sipas profesionisteve shëndetësorë përdorimi i drogave përbën një kërcënim për shëndetin, sigurinë e individëve dhe komuniteteve.

Varësia nga përdorimi është një dukuri prezente si dhe trajtimi i kësaj dukurie kërkon një bashkëpunim dhe rrjetëzim ndërmjet institucioneve dhe komunitetit.

Varësia nga drogat ka disa aspekte:

Toleranca: nënkupton adaptimin fiziologjik të organizmit ndaj një droge, kështu që përdoruesit për të përjetuar efektin e mëhershëm duhet të marrë sasi gjithnjë më të madhe të drogës. Përdoruesi, tek i cili është zhvilluar toleranca, duhet të rris dozën e drogës vazhdimisht në mënyrë që të arrijë të njëjtin përjetim.

Varësia fizike: shfaqet kur një personi i nevojitet drogë për të funksionuar. Disa droga nxisin mekanizmin e përshtatjes pa arritur ndonjë veti të dobishme. Si reagim ndaj pranisë së drogës, organizimi ndryshon funksionet e organeve.

Varësia psikologjike: shfaqet kur përdoruesi detyrimisht duhet të mbështetet në marrjen e drogës, në mënyrë që të ketë sesinë e mirëqenies së tij. Përdoruesi i këtillë është i bindur se ndjenjën që i shkakton droga është e domosdoshme për të funksionuar normalisht.

Mos marrja e drogës (abstenimi, ndërprerja): shfaqet kur përdoruesi i drogës me varësi fizike a psikologjike ndërpret marrjen e saj. Derisa organizmi i përdoruesit mundohet të kompensojë mungesën e substancës së drogës, sistemi organik bie në krizë dhe shfaqen shenja fizike dhe psikologjike të mos marrjes.

Varësia nga substancat përkufizohet si paaftësi për të kontrolluar përdorimin e një droge psiko – aktive si dhe përdorim i vazhdueshëm me gjithë pasojat që sjellin si; fizike, emocionale, mendore, sociale.

Varësia nga substancat shfaqet në qoftë se dikush:

• Krijon varësi ndaj efekteve të substancës;
• Përjeton simptoma të mos marrjes kur ai ose ajo ndërpret marrjen e drogës dhe për të shmangur ose lehtësuar simptomat e pakëndshme të mos marrjes së drogës përdor substanca tjera;
• Merr drogë në doza gjithnjë e më të mëdha dhe për kohë më të gjatë se sa ka menduar;
• Dëshiron të zvogëlojë ose të kontrollojë marrjen e substancës, por nuk ka arritur ta bëjë ose ka tentuar por pa sukses;
• Humb shumë kohë për ta siguruar substancën për ta përdorur dhe për t’u këndellur;
• Për shkak të përdorimit të drogës rrallon ose shmang pjesëmarrjen në aktivitete të rëndësishme sociale, profesionale, argëtuese;
• Injoron problemet sociale, psikologjike, fizike të cilat janë të shfaqura nga përdorimi i drogës.

Rol të rëndësishëm lidhur me mënyrën e parandalimit, mbështetjen, trajtimin kanë familja, institucionet relevante, profesionistët e shëndetit mendor etj.

Si faktorët mbrojtës dhe rol të rëndësishëm kanë marrëdhëniet pozitive në familje, lidhjet e forta familjare, mënyra e komunikimit, ndjenja e përkatësisë, angazhimi dhe përgjegjësia, krijimi i një identiteti për vetën dhe familjen janë faktorë mbrojtës dhe parandalues në përdorimin e substancave të ndryshme.

Stilet e prindërimit, mënyra e komunikimit me adoleshentët dhe të rinjtë, duke vendosur rregulla të qarta, duke biseduar për pasojat, efektet e tyre.

Shkolla si institucion relevant, pjesëmarrja në aktivitete të ndryshme rekreative duke ngrit tek nxënësit ndjenjën e përkatësisë, të qenit pjesë e shkollës me aktivitete të ndryshme dhe mundësia për konsumim, devijim është më e vogël, gjithashtu standardet e qarta komunitare, ligjet, politikat dhe normat e qarta kundër përdorimit të drogave ndikojnë në mbrojtjen e shëndetit tek të rinjtë.

Bashkëmoshatarët që nuk konsumojnë droga mund të ushtrojnë ndikim të fuqishëm në jetën e tjerëve. Nëse adoleshenti ka një rreth shokësh që nuk përdor drogë si dhe gjasat për konsumim janë më të vogla.

Ofrimi i shërbimeve nga profesionistët shëndetësorë, trajtimi dhe mbajtja e seancave në mënyrë individuale, grupore e familjare janë një mundësi për të evituar konsumimin e drogës si dhe për të ruajtur shëndetin psiko-emocional, fizik dhe social.

————–
Autori është Psikolog klinik (specializant i psikologjisë klinike).