Infektologia e mërzitur: Iu munguam pacientëve këto 14 ditë vetizolimi

Stafi shëndetësor prej dhjetë vetash, në krye me infektologen Dr. Selvete Shurdhani, u vetizoluan më 13 mars, pasi një natë më herët e trajtuan pacientin e parë nga Sublla e Vitisë që rezultoi me virusin Covid-19.

Dr. Shurdhani dhe ekipi kujdestar i natës kritike të Spitalit Regjional, në mesditën e të premtës i janë nënshtruar testit për Covid-19 dhe tani janë në pritje të rezultatit, i cili pritet të dalë së shpejti.

“Edhe përkundër të gjitha masave mbrojtëse gjatë punës që kemi pasur me rastin e kontrollimit të pacientit të parë të dërguar në Kliniken Infektive, që rezultoi poziv, ne grupi i ekipit kujdestar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit kemi qëndruar në vetizolim me pozitivitet, durim dhe moral të lartë, vetëm e vetëm për të parandaluar rrezikun e përhapjes se infeksionit për qytetarët e rajonit tonë”, ka thënë Shurdhani, enkas për portalin Mediafokus.info.

Shurdhani ka deklaruar se ajo dhe ekipi i natës kritike, gjatë kësaj kohe janë ndier shumë mirë dhe nuk kanë asnjë simptomë, por që ligji i sëmundjeve ngjitëse i obligon t’i nënshtrohen testeve zyrtare.

Ajo ka thënë se është mërzitur që u mungoi pacientëve në këtë kohë frike e pasigurie nga pandemia, derisa ka lavdëruar ekipin kujdestar të QKMF’së në Viti, të cilët e kanë udhëzuar dhe specifikuar si rast të dyshimtë pacientin nga Stublla.

Ndërkohë, në mesditën e sotme janë testuar edhe 25 banorë të fshatit Zhegër, të cilët po e presin rezultatin.

Prej 12 marsit kur u konfirmua rasti i parë me Covid-19, deri më sot, numri i përgjithshëm në mbarë territorin e Republikës ka arritur në 79 persona të infektuar me këtë virus./Mediafokus.info/