Duke e pritur virusin
DAUT DAUTI
Kjo fotografi është bërë para 7 viteve. Në këmbë, duke folur, është Sir Noel Malcolm kurse në të djathtë të tij, ambasadori Mal Berisha dhe Arbër Koci, sekretar i Anglo Albanian Association. Fotografia është e ditëve të mira. Sot, pas 7 viteve, gjendja ka ndryshuar shumë.
Tashti, Qeveria britanike, më në fund, ka marrë masa kundër shpërndarjes së virusit Korona. Nga dita e djeshme kryeministri Boris Johnson ka bërë me dije se qeveria e tij, situatën e konsideron si gjendje lufte. Në fillim të javës së ardhshme Parlamenti Britanik do të aprovoi edhe legjislaturën e cila edhe juridikisht do t’i jep fuqi dhe kompetenca qeverisë që të funksionoi sikur në gjendje lufte. Kjo gjë në Britani nuk shkakton ndonjë problem politik apo procedural sikur në Kosovë. Me këtë rast nuk ka asnjë ndryshim në qeveri. Qeveria funksionon me funksionarët e njejtë por ministria e shëndetësisë do të ketë punë më shumë dhe kompetenca më të mëdha.
Sot në mëngjes 20 000 ushtarë janë mobilizuar që t’i dalin në ndihmë qeverisë. Londra, gradualisht po mbyllet në qetësi për të pritur armikun e padukshëm që do të sjell vdekje masive të njerëzve. Në variantin më të mirë, llogaritet se do të vdesin rreth 20 000 njerëz kurse në më të keqen, deri në 200 000.
Britanikët në botë njihen për organizim. Ky popull deri tashti është moblizuar disa herë, përfshirë dy luftëra botërore, të cilat i ka fituar. Një gjeneral britanik dikur, para një beteje, ka thënë: ‘ushtarëve të mij iu duhet fati dhe ndihma e Zotit dhe ne gjithmonë i kemi patur’.
Edhe kësaj radhe do të jetë njësoj.

