Duncan për takimin me komandantët e UÇK-së: U vinte era luftë, barut, tym, Ramushi ishte si në filmat e Rambos
Diplomati britanik, John Stewart Duncan po dëshmon në Gjykatën Speciale në mbrojtje të Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai dëshmoi se si për demilitarizimin e UÇK-së, duhej të diskutonte edhe me komandantët e zonave, siç tha se e kishte parlajmëruar ish-komandanti i përgjithshëm, Agim Çeku.
Atij iu shfaq një video e 17 qershorit 1999 nga diskutimet me komandantët.
Duncan, ish-këshilltar politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, tha se nuk e harron një moment nga ai diskutim.
Takimi, ai tha se ishte “konstruktiv” dhe “frytdhënës”, por përmendi se komandantët “hezitonin shumë” t’i dorëzonin armët.
“Hezitonin shumë. Sepse ata thonin ‘ne e kemi fituar luftën dhe duam të çarmatosemi me nder’… Deshën ta mbronin nderin e tyre, para syve të popullit të tyre”, tha ai.
Për ish-komandantin e UÇK-së për rajonin e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, John Stewart Duncan tha se ishte “si në filmat e Rambos”.
“Ramushi është karakter i veçantë. Ishte si në filmat e Rambos. Mbaj mend që kishte një emblemë në krah. Të binte në sy si personazh. Fliste goxha. I dëgjohej zëri shpesh”, tha ai.
Duncan ishte hartues i marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së.