Dy shqiptarë humbin jetën në një aksident në Austri

Dy shqiptarë kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti në Austri, derisa dy të tjerë, po ashtu shqiptarë si dhe një rumun dyshohet se janë në mesin e të lënduarve.

Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmë pas një përplasjeje mes dy veturash afër St.Pölten të Austrisë.

Sipas policisë, deri të aksidenti erdhi pasi që dy vetura u përplasën, njëra prej të cilave thuhet se po lëvizte në krahun e gabuar.

Përplasja ka ndodhur rreth orës 3:30 minuta të mëngjesit midis Loosdorf (qarku Melk) dhe St.Pölten, në rrugën për në Vjenë.

Sipas policisë austriake, një veturë me numër të tabelave shqiptare, e cila ishte ndaluar për pushim në Völlerndorf, mendohet se mund të jetë kyçur gabimisht në autostradë.

Në anën tjetër, një veturë që po lëvizte në drejtim të tyre ka goditur veturën shqiptare, në të cilën gjendeshin brenda katër persona me shtetësi shqiptare.

Dy prej tyre mbetën të vdekur. Dy të tjerë dhe tre rumunë që ishin nga automjeti i dytë i përfshirë në aksident kanë marrë lëndime të rënda, përcjell tutje albinfo.at.

Në vendin e ngjarjes janë dalë edhe ekipet e emergjencës, nga ku zjarrfikësit nxorën viktimat nga automjeti, ndërsa të lënduarit u dërguan menjëherë në spitalin e afërt.

Identiteti i viktimave dhe të plagosurve ende nuk është bërë i ditur. (Foto arkiv)