Dy sondazhet e javës që treguan rënien e VV’së
Partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka humbur rreth 13 përqind të votave, sipas dy sondazheve që janë realizuar në javën e fundit.
Sondazhi që u publikua dje nga Instituti “Pipos”, në Rubikon, tregon se Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka rënë për 13 përqind.
Në pyetjen nëse zgjedhjet do të mbaheshin tash, Lëvizja Vetëvendosje do të fitonte 37.10 përqind të votave, nga 50 përqind sa kishte fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Se Vetëvendosje ka rënë në 40 përqind pas një viti e gjysmë në pushtet, e tregon edhe sondazhi i UBO Consulting, i cili u publikua ditë më parë nga Express.
Ku qytetarët janë pyetur se kë do ta votonin, nëse do të mbaheshin së shpejti zgjedhjet nacionale, rezultatet kanë dalë shumë më ndryshe prej zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Nga të anketuarit, 35.8 për qind janë përgjigjur se do ta votonin LVV-në në zgjedhjet e ardhshme. Kur shpërndahet përqindja e atyre që refuzojnë të përgjigjen dhe e atyre që janë të pavendosur, LVV-ja del se do t’i merrte 39.6 për qind.


 
 
						 
						