Dy turistë të huaj humbin në malet shqiptare

Një shtetas francez dhe një shtetase australiane, të cilë po eksploronin zonat malore në Llogara, kanë humbur rrugën e kthimit. Policia nisi menjëherë kërkimet dhe arriti t`i gjejë pas 14 orësh, në gjendje të mirë shëndetësore. 

Njoftimi i policisë

Policia u vjen në ndihmë dy turisteve të huaj, të cilat kishin humbur rrugën në një zonë të thellë në Llogara.

Në orët e mbrëmjes së djeshme, dy turiste të huaja, një shtetas francez dhe një shtetase australiane duke eksploruar zonat malore në Llogara, kanë humbur rrugën e kthimit duke ngelur të bllokuara.

Menjëherë janë organizuar shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me shërbimet e Zonave të Mbrojtura dhe shërbimet e Policisë Kufitare, të cilët filluan kërkimet për gjetjen e tyre, në rrugë tokësore dhe detare. Pas 14 orë kërkimesh, është bërë e mundur gjetja e tyre rreth 2.5 Km në vijë ajrore larg gjirit të “Gramës”.

Të dy shtetaset nuk kanë pësuar asnjë lëndim dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe po transportohen në stacionin e Policisë Orikum.