E dhimbshme: Ky është 61-vjeçari që vdiq pasi u rrëzua në ballkonin e shtëpisë në Viti

Nazim Pira është 61-vjeçari që vdiq pasi dyshohet se u rrëzua në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij në Pozheran të Vitisë.

Sipas njoftimit të KF Vllaznia Pozheran, i ndjeri ishte ndër mbështetësit më besnikë të KF Vllaznia.

“Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes Pira, të afërmve, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan. Urojmë që të gjeni forcë, durim dhe ngushëllim për ta përballuar këtë humbje të madhe”, u tha ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit.

Ngushëllime ka shprehur edhe Valmir Sahiti, kryetar i Rinisë Demokratike në Viti.

“Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Pira nga Pozherani për humbjen e familjarit të tyre. Njëkohësisht, uroj shërim sa më të shpejtë për dy të lënduarit e tjerë nga stuhia e sotme”, ka shkruar ai.