E dogji të gjallë gruan dhe pastaj vari veten

Një çift shqiptar në proces divorci u shua në mënyrën më të tmerrshme të mundshme. Dyshohet se Bilbil Shirja, 48-vjeç së e pari e dogji në veturë ish-bashkëshorten, Fëllënzën, 45-vjeçe dhe pastaj u vetëvra.

Rasti ka ndodhur në Kavajë dhe dyshimet e para janë që 48-vjeçari, pas një zënke me bashkëshorten, e ka futur atë në makinë dhe i ka vënë flakën, duke e djegur të gjallë, e më pas, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në një pemë aty pranë.

Panorama mëson se çifti ishin në proces divorci dhe herë pas here, ata kishin konflikte mes njëri-tjetrit për motive xhelozie.

Këto kanë bërë që gruaja të ikë nga shtëpia dhe kohët e fundit jetonte me prindërit e saj në Shkallnur të Durrësit.

Viktimat ishin prindër të dy fëmijëve, një vajze e cila ishte martuar dhe e një djali, adoleshent.

Policia ka nisur hetimet në vendin e ngjarjes dhe ka marrë në pyetje të afërm dhe familjarë të çiftit për të mësuar më tepër rreth shkaqeve të krimit të rëndë.