E huaj në tokën time – Një shtet që nuk i njeh fëmijët e vet, rrezikon të humbasë shpirtin e tij

Amina Nuraj

(Letër e hapur drejtuar Institucioneve të Republikës së Kosovës dhe mbarë opinionit publik)

​Po ju shkruaj me dorën që dridhet, jo nga frika, por nga një dhimbje e thellë që peshon më rëndë se çdo gur i kësaj toke.

Sot, unë dhe shumë si unë, po përballemi me një paradoks mizor: po trajtohemi si të huaj në shtëpinë tonë.

​Zbatimi i rregullit që na kufizon qëndrimin në Kosovë në vetëm 90 ditë brenda një viti për ne që nuk kemi ende dokumente të Republikës, është një thikë pas shpine për çdo shqiptar që frymon me këtë vend.

Si mundet që atdheu im të më numërojë ditët si një vizitoreje kalimtare?

Si mundet që pragu i shtëpisë sime të kthehet në një stacion pritjeje me afat skadence?

Unë jam Bija e këtij Kombi. Kam shkruar, kam folur dhe kam jetuar me emrin e Kosovës në çdo hap të jetës sime.

Kam derdhur shpirtin tim në vargje e në vepra për këtë tokë, duke besuar se liria do të na bashkonte e nuk do të na ndante me barriera administrative.

​Sot, ndërsa bota flet për hapje kufijsh, Republika e Kosovës po mbyll dyert për bijtë dhe bijat e veta.

Është një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë kur sheh se shteti për të cilin kemi sakrifikuar, ende heziton të më japë atë nenshtetësi që ma ka dhënë historia, gjaku dhe vetë Zoti që në lindje.

​Pse duhet të ndihem e huaj në rrugët ku kam hedhur hapat e parë?

Pse duhet të kërkoj leje qëndrimi në tokën që mbart eshtrat e të parëve të mi?

​A matet dashuria për atdheun me vula pasaporte?

Ky ligj nuk është thjesht një procedurë; është një mur i lartë që po ndërtohet mes nesh dhe vendit tonë.

Të na detyroni të largohemi pas tre muajsh nga toka jonë, do të thotë të na shkulni rrënjët me forcë.

Një shtet që nuk i njeh fëmijët e vet, rrezikon të humbasë shpirtin e tij.

Ju bëj thirrje institucioneve: Rishikoni këto vendime! Mos na detyroni të ndihemi jetimë në shtëpinë tonë të përbashkët.

Unë nuk jam një “e huaj” që kërkon strehim; unë jam një pjesë e këtij trupi që kërkon të drejtën për të jetuar e lirë në vendin tim.

​Mbetem me shpresë se zëri i një bije të kombit do të dëgjohet aty ku merren vendimet.