E mrekullueshme: 22-vjeçarja lind në autoambulancë me asistimin e mjekëve nga Viberi

Një 22-vjeçare banore e fshatit Qendra Zhupë në Dibër, ka lindur në ambulancën e ndihmës së shpejtë të Strugës pasi ishte nisur për në spitalin e Strugës. Pa mbërritur në qytet, mjekët e ndihmës së shpejtë e lindën atë me ndihmën e akusherëve përmes telefonit celular.

Gjithçka filloi pasi ambulanca në Strugë mori telefonatë nga policia e Dibrës se një grua është nisur për në Strugë me automjet privat, e cila ishte para lindjes. Ishin nisur për në Dibër kurse janë takuar në fshatin Glloboçicë. Më pas, mjekët e përgjithshëm kanë filluar me lindjen e pazakontë në automjetin e ambulancës.

“Nëna nuk bashkëpunoi sa duhet, sepse ishte fëmija e parë dhe ishte në shok…”, tha Elena Mechkaroska-mjek e praktikante.

“Me instruksione, ku të shtypim, si të shtypim, shtrëngimet, me kamerë prej “Viber-it”. Në fund e gjithë koka doli, pastaj ngadalë u rrotullua lart e poshtë dhe trupi i foshnjës doli jashtë”, u shpreh Vasko Duleski- mjek nga Struga.

Por, më pas ndërlikimet kishin filluar. Foshnja e porsalindur prej dy kilogram e gjysmë nuk po merrte frymë kurse kishte edhe probleme të tjera, raporton tetovasot.com

“Prisnim reagimin e parë, qarjen, por nuk ndodhi. Deri në atë moment ishim të lumtur që gjithçka ishte në rregull, por më pas kishim zhgënjim dhe trishtim se diçka nuk shkonte mirë. Në atë moment u krijua edhe panik”, theksoi Vasko Duleski- mjek nga Struga.

Ambulanca më pas është nisur për në Strugë. Mjekët kishin bërë çdo gjë që foshnja të merrte frymë. Pas pak, për fat të mirë, foshnja filloi të merrte frymë.

“Kur arritëm para spitalit të Strugës, një ekip nga departamenti i gjinekologjisë po na priste. E morën foshnjën, ia prenë kërthizën dhe u kujdesën për të… “, tha Semra Bajramoska- infermiere.

Tani edhe nëna dhe foshnja janë në gjendje të mirë shëndetësore në departamentin e gjinekologjisë në spitalin e Strugës.