E pabesueshme: VV thotë se në Gjakovë prezantoi “projektin për katër vitet e ardhshme”

Nuk kanë paraqitur program zgjedhor as edhe sot zyrtarisht në hapje të fushatës zgjedhore, por Lëvizja Vetëvendosje pretendon se në tubimin sot në Gjakovë kanë “prezantuar projektin për katër vitet e ardhshme”.

“Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! e nisi fushatën me një tubim madhështor në Gjakovën e yjeve, ku u prezantua projekti për katër vitet e ardhshme”, shkroi VV-ja në një postim në Facebook.

“Në fjalën përmbyllëse, z. Albin Kurti falënderoi Gjakovën për përkrahjen e madhe që i ka dhënë qeverisë dhe shtetit nëpër sfidat që kemi kaluar. Ai u zotua se qeverisja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk do t’i gënjejë e as zhgënjejë qytetarët dhe se bashkë me ta do të angazhohet çep më çep për një qeverisje që sjell zhvillim me punësim dhe garanton të drejtat e liritë për secilin pa dallim në Republikë”, u tha në postim.