E përshkon mbrapsht “Ibrahim Rugovën”, zbulohet dhe dënohet

E përshkon mbrapsht “Ibrahim Rugovën”, zbulohet dhe dënohet.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka dënuar një qytetar që ka vozitur automjetin e tij në kahjen e kundërt të drejtimit të lëvizjes, duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion.

“Policia e Kosovës pas publikimit të informacionit se në autostradën Prishtinë – Prizren një veturë ecë në kahjen e kundërt të drejtimit të lëvizjes dhe rrezikon edhe pjesmarrësit e tjerë në komunikacion, merr veprime dhe shqipton gjobë ndaj vozitësit të kësaj veture”, ka bërë të ditur PK, nëpërmjet një njoftimi.

“Me datë 22.06.2020 në media është shfaqur një video-incizim në të cilin shihej teksa një automjet ishte duke qarkulluar në kahjen e kundërt të drejtimit të lëvizjes në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”. Pas publikimit të këtij informacioni, Policia e Kosovës ka marrë menjëherë veprimet e nevojshme për identifikimin e veturës si dhe të kundërvajtësit lidhur me rastin”, njofton Policia.

“Pas hetimeve intensive, është identifikuar koha e lëvizjes së veturës së cekur më lartë, si dhe përmes targave të saj është gjetur dhe pronari i veturës i cili është kontaktuar përmes telefonit dhe me datë 26.06.2020 i njëjti është paraqitur në Njësinë për Kontrollimin e Autostradave në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili lidhur me rastin është intervistuar dhe të njëjtit i është shqiptuar një gjobë për kundërvajtje”, ka bërë të ditur PK’ja.