E pranon fajin avokati që kanosi gazetarin Vehbi Kajtazi
I akuzuari Driton Dobruna është deklaruar të premten fajtor se ka kanosur gazetarin Vehbi Kajtazi.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, Dobruna e ka pranuar fajësinë se përmes mediave sociale e ka kanosur pronarin e portalit “Paparaci”.
“Fajtor, po”, ka deklaruar Dobruna, të premten, në seancën ku ka marrë pjesë edhe i dëmtuari Kajtazi dhe prokurori Paulin Pashku, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I dëmtuari Kajtazi e ka mbështetur deklarimin e prokurorit të shtetit dhe ka kërkuar që me rastin e dënimit të jepet mësim gjithë atyre që kanë prirje t’i pengojnë e sulmojnë gazetarët.
Kajtazi ka thënë se i akuzuari kishte planifikuar në detaje se si do ta kryente veprën penale.
I akuzuari Dobruna është me profesion avokat.
Sipas aktakuzës, Dobruna ndër të tjera i kishte shkruar Kajtazit se: “Do të lyej me benzinë, ne të dy do të takohemi, e unë e ti së bashku në ferr”.
Dobruna ishte arrestuar pas raportimit të kanosjes derisa i ishte caktuar edhe masa e paraburgimit më 11 tetor 2024.

