E pranon këngëtari Muhamet Sejdiu, jam diagnostikuar me koronavirus

Këngëtari kosovar Muhamet Sejdiu e ka pranuar edhe vetë se është diagnostikuar me koronavirus.

Një ditë më parë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik konfirmoi rastin, duke thënë se ata janë një çift nga Gjakova, të ardhur nga Gjermania.

“Sot me 17.03.2020 janë konfirmuar edhe dy raste pozitive për virusin SARS-CoV-2:  Rastet janë nga komuna e Gjakovës, të kthyer nga Dusseldorfi i Gjermanisë, njëri i gjinisë mashkull 54 vjeç dhe tjetri i gjinisë femër 49 vjeç.”

Këngëtari Sejdiu, i pyetur nga gazeta Blic se a është e vërtetë që ai është i prekur nga ky virus, është përgjigjur shkurt: “Po, është e saktë”.

Muhamet Sejdiu ka marrë pjesë në një aheng në Gjilan, bashkë me Xenin, por nuk dihet nëse ai ishte i infektuar me coronavirus atë natë, sepse pozitiv ka rezultuar duke u kthyer nga Gjermania, ku kishte udhëtuar pas këtij ahengu.

Në Gjilan nuk ka asnjë rast të konfirmuar deri tashti, por kryetari i Komunës Lutfi Haziri, i cili ka qenë në të njëjtin ambient ku ka kënduar Sejdiu, ka vendosur të vetizolohet dhe këtë sapo e ka bërë të njohur për publikun./mediafokus.info