E thotë mjeku i njohur shqiptar: “Kemi ende udhë për të bërë me koronavirusin”

Ndërkohë që po shtohen rastet e reja me koronavirs dhe mjerisht edhe numri i viktimave nga ky virus i rrezikshëm, mjeku i njohur, infektologu Tritan Kalo ka bërë sëerish një apel për të gjithë shqiptarët.

Ai ka kërkuar nga qytetarët bashkëpunim, ndërgjegjësim dhe rritje të kujdesit.

“Kemi ende udhë për të bërë në përballjen me sfidën Sars-Cov2/Covid-19, ndaj kurrë mos e humbisni mirëbesimin ndaj punës dhe profesionalizmit tonë….”- shkruan ai.

Mesazhi i Kalos

Kohë Kovidiane…Fundjavë 5–6 shtator 2020….Prej regjistrimit të rasteve të para të infektuara nga Sars-Cov2/Covid-19, në kalendarin e mantelbardhëve janë hequr fundjavat. Një ekip që përparësi të tij ka punën, profesionalizmin dhe përkushtimin për t’i shërbyer mundësisht sa më mirë të sëmurëve të prekur nga kjo “flamë mbarëbotërore”…..

Puna e konceptuar dhe e zbatuar si një ekip i vetëm, ka dhënë, po jep dhe kurdoherë do të japë më shumë frute, në dallim me protagonizmin individual jo të rrallëshfaqur në këto muaj të pandemisë….

Jemi kurdoherë për ju në krye të misionit tonë fisnik….Nga të gjithë ju kërkojmë më shumë NDËRGJEGJËSIM e PËRKUJDESJE ndaj vetes, si dhe KUJDES ndaj të afërmve tuaj kudo dhe për çdo çast….

Nuk është aspak e vështirë dhe e pamundur zbatimi i rregullave të higjenës individuale, kolektive dhe të mjedisit ku gjallojmë, distancimi fizik kur është e mundur, si dhe mbajtja e maskave në mjediset e mbylluara ose aty ku ka grumbullime….

Kemi ende udhë për të bërë në përballjen me sfidën Sars-Cov2/Covid-19, ndaj kurrë mos e humbisni mirëbesimin ndaj punës dhe profesionalizmit tonë….

Ju duam dhe shpresojmë shumë në mirëkuptimin tuaj të kurdokohshëm….