E tmerrshme: Kamerieri i “Hib Petrol” tenton ta dhunojë 20-vjeçaren në tualetin e restorantit, arrestohet në flagrancë

Vajzat në Kosovë përballen me sulme seksuale në vende të ndryshme publike, ku pa fije turpi të rinj e të moshuar ia mësyjnë atyre, duke i sulmuar e ngacmuar. Për një rast të tillë, ka nisur së fundmi hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë. Subjekt i hetimit këtë herë është kamerieri i restorantit të pompës së derivateve “HIB”, në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Mësohet detaje ekskluzive nga denoncimi i një 20-vjeçareje kundër punëtorit të mitur të kësaj pompe, i cili dyshohet se e ka sulmuar seksualisht, në hapësirat e lokalit.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se rasti ka ndodhur në pikën e pompës, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, në Prishtinë, në orët e mëngjesit të së premtes.

Gjithçka dyshohet se ndodhi pasi vajza shkoi në restorantin e kësaj pompe për të ngrënë dhe u përballë me kamerierin që e mori porosinë.

Përveç porosisë së vajzës, i dyshuari 17-vjeçar ia la edhe vet një porosi asaj. Duke e kapur për këmbëve dhe për beli, ai dyshohet se i është drejtuar asaj me fjalët “hajde të shkojmë në banjo, hajde se t’u ulem në gjunjë”.

Kjo situatë e shqetësoi viktimën, e cila në atë moment tentoi të shpëtojë, duke ikur, por që s’ia arriti.

Sipas burimeve të Sinjalit, situata vetëm sa është tensionuar, pasi i dyshuari nuk ishte zmbrapsur. Në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve, thuhet se kamerieri e kishte kapur me forcë dhe e ka dërguar në tualet, ku ia kishte mbyllur derën me çelës.