E tmerrshme: Vajza e mitur që u zhduk në Fushë Kosovë u drogua dhe u dhunua nga një perso

Dhunimet janë rastet më të tmerrshme që po ndodhin në vendin tonë dhe në shumicën prej tyre viktima janë vajzat e mitura, të cilat shfrytëzohen e keqtrajtohen seksualisht. Javën që po lëmë pas, mediat  raportuan për disa ngjarje të tilla, por edhe një rast tjetër u zbulua gjatë ditës së djeshme dhe detajet janë mjaft tronditëse. Këtë herë, një vajzë përveç që dyshohet se u dhunua, sipas informacioneve të para, ajo u detyra edhe të konsumojë substanca narkotike. Rasti dyshohet se ka ndodhur në një motel të Fushë Kosovës.

Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se personi që po dyshohet për këtë rast është një 21-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor. Sinjali mëson se i njëjti dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një 16-vjeçare, e cila ishte raportuar e zhdukur për më shumë se 1 javë.

Por si u zbulua dhe cilat janë detajet e trishta?

Vajza fillimisht ishte raportuar e zhdukur nga një familjare e saj më 18 nëntor, e cila njoftoi Policinë dhe kërkoi ndihmën e Policisë për ta gjetur mbesën e saj, për fatin e të cilës nuk dihej asgjë. Viktima, e cila jeton me një familjare, pasi prindërit janë ndarë që një kohë atë ditë u largua nga shtëpia dhe askush s’kishte informacione se ku gjendej.

Gjatë kësaj kohe, vajza dyshohet se ka qëndruar në motelin “Berati” në Fushë Kosovë, ku dyshohet se e ka keqtrajtuar seksualisht. Ajo çka e bën edhe më të rëndë këtë rast është se derisa i dyshuari është shoqëruar me viktimën, të njëjtën dyshohet se e ka droguar, duke e detyruar të konsumojë substanca narkotike, nën ndikimin e të cilave më pas ka kryer marrëdhënie seksuale me të. Përveç drogës, i dyshuari i ka dhënë të miturës edhe alkool, që më pas ta shfrytëzojë gjendjen e saj, për të abuzuar me të.

Tmerri që ka përjetuar vajza ato ditë, u zbulua kur ajo u gjet gjatë ditës së djeshme dhe rrëfeu para zyrtarëve policorë se çfarë i kishte ndodhur në motel, ku dyshohet se u dhunua nga i riu 21-vjeçar.

Ky rast i tmerrshëm aktivizoi Prokurorin e Shtetit, që urdhëroi të sigurohet prezenca e të dyshuarit dhe arrestimi i të njëjtit. Pasi u kap nga Policia, i riu është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori ka lëshuar aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe të nisin hetimet për mbledhjen e informacioneve që zbardhin në plotni rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.