E vulos Rrahman Jasharaj: Greva vazhdon sot, mësim nuk mbahet as në komunat ku udhëheq VV

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka thënë mbrëmë se greva do të vazhdojë edhe sot– përkundër insistimit nga Ministria e Arsimit që mësimi të fillojë.

E në përputhje të kësaj kërkese të Ministrisë së Arsimit kanë dalë katër kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, Gjilani, Podujeva, Shtimja dhe Kamenica duke kërkuar nga prindërit që të shkojnë në shkollë.

Por Rrahman Jasharaj thotë se kolegët e tij mësimdhënës nuk do të luhatën nga siç i quajti ai presionet.

“Më mirë do të ishte të kërkonin nga kryeministri që të zbatojë kërkesat tona”.

Kërkesë e kanë ndarjen e 100 eurove, por Qeveria përmes pakos 150 milionëshe ka ndarë 50 euro.

“E përgëzojmë qeverinë për këtë, por nuk është përmbushje e kërkesës sonë”, ka thënë ai në RTK.

Ka vazhduar duke i lutur prindërit që mos t’i dërgojnë fëmijët nesër në shkolla.

“Nuk ka kush t’i mësojë sepse mësimdhënësit janë në greva”, tha Rrahmanaj.