“Ec qiknej, sa mirë që dole”
Nuk thuhet kot se ‘mjek më të mirë se natyra nuk ka askund në botë’.
Por, shtrohet pyetja sa po kujdesen njerëzit për natyrën? Më keq se sa për një pronë të huaj.
Mjafton të vizitosh Stanishorin, një masiv bjeshke në afërsi të Gjilanit, për t’u bindur për këtë.
Pamjet janë shqetësuese. Persona të papërgjegjshëm ndaj ambientit lënë pas vete mbeturinat.
Në Stanishor, një zonë kjo e pasur me drurë të ndryshëm, me lumenj e lule, përveç pushimeve, bëhen edhe ushtrime gjimnastikore e rekreative nga grupe të ndryshme sportive e qytetarë të rëndomtë.
Ka shtigje për vrapim, tabela orientuese, vegla për ushtrime, ulëse për pushim.
Vullnetarët flasin për rëndësinë që ka natyra për njeriun. Sipas tyre shëtitja në natyrë është ushqimi kryesor i trupit të njeriut.
Ata që vrapojnë nuk kanë nevojë për mjek, as për barna. Aktiviteti fizik, ajri dhe uji i mirë i japin jetëgjatësi njeriut.
Shpatet e Stanishorit janë kthyer në një oazë shëndeti dhe miqësie në mes të njerëzve.
Ky vend i ka ndihmuar edhe ata njerëz të cilët deri dje kanë lëvizur me vështirësi, duke ua kthyer shpresat për të vazhduar jetën edhe të sëmurëve.
Mosmirëmbajtja është ana e shëmtuar e kësaj të mire. /Mediafokus.info

