Edhe bashkatdhetarët mund të vaksinohen në Kosovë

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti, ka deklaruar se janë krijuar kushtet që vaksinimi i qytetarëve të vazhdojë me një dinamikë më të madhe, duke theksuar se tashmë edhe “bashkatdhetarët mund të vaksinohen në Kosovë”.

Ai ka potencuar se vjeshta duhet ta gjejë Kosovën me sa më shumë të vaksinuar.

Hoti në një përgjigje me shkrim për Albanian Post ka thënë se mundësia e vaksinimit për bashkatdhetarët është krijuar prej kohësh.

“Çdo bashkatdhetar që ka edhe shtetësi të Kosovës, mund të vaksinohet në Kosovë si çdo qytetar tjetër”, ka thënë ai.

Po ashtu, Hoti ka treguar se ekziston mundësia për zgjedhjen e vaksinës nga bashkatdhetarët.

Në anën tjetër, zëdhënësi i MSH-së ka thënë se kartoni i vaksinimit që jepet nga ana e ministrisë është “i avancuar dhe do të njihet ndërkombëtarisht”.