Edhe Çitaku kritikon Arben Vitinë që po ikën nga përgjegjësia në kohë pandemie

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe qeverinë Kurti për ikjen nga përgjegjësia për t’u marrë me rritjen alarmante të rasteve me Covid-19 për t’u marrë me zgjedhje lokale.

Çitaku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova ka shkallën më të lartë të infektimeve,m dhe shkallën më të ultë të vaksinimit në Evropë.

“Ministri i Shëndetësisë, në vend se të dorëzohet para gjendjes alarmante dhe t’i lë të vetmuar punëtorët shëndetësorë dhe qytetarët për të garuar në zgjedhje lokale, duhet urgjentisht ta decentralizojë dhe thjeshtëzojë procesin e vaksinimit duke ofruar shërbime edhe në qendrat e mjekësisë familjare, si dhe nëpër qendra mobile”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë i Çitakut:

“Mbi 1300 raste të reja sot me COVID.

Për kokë banori, Kosova ka shkallën më të lartë të infektimeve, dhe shkallën më të ultë të vaksinimit në Evropë.

Ministri i Shëndetësisë, në vend se të dorëzohet para gjendjes alarmante dhe t’i lë të vetmuar punëtorët shëndetësorë dhe qytetarët për të garuar në zgjedhje lokale, duhet urgjentisht ta decentralizojë dhe thjeshtëzojë procesin e vaksinimit duke ofruar shërbime edhe në qendrat e mjekësisë familjare, si dhe nëpër qendra mobile.

Asgjë nuk është më i rëndësishëm se shëndeti publik. Kjo lloj apatie nga ana e institucioneve është e papranueshme”, ka shkruar Çitaku.