Edhe personat pa ‘leje qëndrimi’ mund të vaksinohen në Gjenevë

Gjeneva ofron mundësi vaksinimi edhe për personat ‘pa letra’ qëndrimi në këtë shtet. Bëhet fjalë për kantonin e Gjenevës.

Mirishahe Limani Hiler, ambasadore e vullnetit të mirë, e cila ka kontaktuar për këtë qëllim Kryqin e Kuq në Gjenevë, ka thënë për Mediafokus.info se edhe personat që nuk kanë leje qëndrimi në kantonin e Gjenevës, ose të ashtuquajturit ‘persona pa letra’ po edhe gjithë të tjerët që për arsye të ndryshme nuk kanë sigurim shëndetësor, mund të vaksinohen falas dhe pa asnjë shqetësim për praninë e tyre në këtë kanton.

Kjo mundësi iu ofrohet të gjitha komuniteteve, pa dallim vendit të tyre të origjinës. Të interesuarit duhet të drejtohen te Kryqi i Kuq i Gjenevës, ku mund të vaksinohen pa caktuar paraprakisht takim.

Qendra për vaksinim në këtë strukturë është e hapur tri herë në javë: Të martën nga ora 09:00 – 12:00 dhe nga ora 16:00-17:00, të mërkuren nga ora 09:00 – 12:00 dhe nga ora 16:00-17:00 dhe të shtunën nga ora 09:00-12:00.

Adresa është kjo: Croix-Rouge genevoise, Route des Acacias 9, Case postale 288, CH – 1211 Genève 4.

Për të konfirmuar këtë informatë apo edhe për pyetje të tjera, mund të kontaktoni në këtë numër telefoni: +41 22 304 04 04

‘Po që se njihni miq në rrethin e juaj, të interesuar për vaksinim, atëherë ndihmoni ata duke iu përcjellur këtë informatë’, thotë Mirishahe Limani Hiler./Mediafokus.info