Edhe pesë ditë keni afat për pagesën e tatimit në pronë

Departamenti i Tatimit në Pronë sot i ka paralajmëruar qytetarët që të paguajnë këstin e parë deri në fund të kësaj jave, apo në të kundërtën do të pësojnë masat ndëshkimore.

Në fund të kësaj jave përfundon afati ligjor për pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë. Për këstin e dytë, kanë kohë deri në fund të shtatorit.

Qyetetarët tashmë janë paralajmëruar që të kryejnë pagesat, që të mos përballen me gjoba dhe interes.

Edhe pak ditë kanë mbetur për të paguar këstin e parë, deri më 30 prill 2023.

Komunat kanë kërkuar që me Projektligjin për Tatimin në pronë, krahas faljes se 100 eurove të vendoset që rimbursimin e kësaj shume ta mbulojë niveli qendror.

Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në pronën e paluajtshme është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe me të parashihet falja e tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit deri në lartësinë e faturës, por jo më shumë se 100 euro.

“Shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se 100 Euro (njëqind euro) në pajtim me dispozitat e këtij kapitulli”, parashihet me këtë projektligj.

Me këtë Projektligj, parashihet që “vendimi për faljen e tatimit në prone merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji”.

Për qytetarët që tashmë e kanë paguar faturën, shuma e falur do t’ju llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

“Në rast se tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.”

Aty sqarohet edhe se falja tatimore zbatohet vetëm për këtë vit.

“Zbatimi i këtij kapitulli mbetet përgjegjësi e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës”, thuhet në projektligj.