Kosova nuk pranon që mësuesit të marrin vaksinën kineze në Shqipëri

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia ka thene se vaksinimi i mësuesve kosovarë në Shqipëri është shtyrë, pasi nuk ka vaksina “AstraZeneca” dhe “Pfizer”, por vetëm “Sinovac”.

Vitia vuri në dukje ligjet e Kosovës e ndalojnë importimin e produkteve që nuk janë të certifikuar nga EMA, sikundërse është vaksina kineze.

Gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë Vitia tha se ministrja Manastirliu i ka premtuar se sapo të vijnë doza të tjera të Pfizer dhe AstraZenec-as, një sasi e caktuar do të ruhet për mësuesit e Kosovës.

Dozat e vaksinave AstraZeneca dhe Pfizer janë harxhuar, siç më ka njoftuar ministrja Manastirliu. Në Shqipëri po vazhdon vaksinimi me Sinovac, e cila është prodhuar nga Kina dhe për arsye se në Kosovë na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruar në EMA (Rregullatori Evropian i Barnave), ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit të vaksinohen. Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka thënë se sapo të vijnë doza të tjera të dy llojeve të vaksinës, atëherë do ta ndihmojnë Kosovën”, ka thënë sot Vitia.

Edi Rama tregon mesazhin e Albin Kurtit 

Më 1 prill kryeministri Edi Rama tha se homologu kosovar Albin Kurti i kishte dërguar një mesazh që ta ndihmonte me vaksinimin e mësuesve në Kosovë, shkruan panorama.com

Ne jemi shumë krenar që po ndihmojmë edhe Kosovën. Më çoi një mesazh Albin Kurti duke më falënderuar që meqë ata morën vaksina dhe do vaksinojnë  mjekët, sot dëshironte që ne të ndihmonin për mësuesit. Po i thashë patjetër. Ne do i japim ato që duhen që të vaksinohen mësuesit e Kosovës, sigurisht. Si bëhen këto me llafe? Me dëngla? Duke fjetur gjumë? Ndërkohe që ne jemi në mes të kësaj finaleje dhe e shikojmë dritën e atje,  tha Rama.