Edhe pse punove në periudha sfiduese, ti asnjëherë nuk mendove t`ua kthesh shpinën nxënësve – dedikim për mësimdhënësin Nehat Ramadani

Pas 40 vitesh punë në arsimim, është pensionuar në Gjilan, mësimdhënësi i Gjuhës Shqipe, Nehat Ramadani.

Ramadani ka marrë shumë urime me rastin e përmbylljes me dinjitet të karierës së punës.

Urime pensionimi Babë

Shpresoj që ky mund dhe përkushtim për gjithë këto mbi 40 vite në arsim të ju shërbejë gjitha gjeneratave që kaluan nëpër duart tuaja si udhërrëfyes për të ecur përpara.

Edhe pse gjatë viteve të 90-ta jetuam në kushte të vështira materiale e të terrorizuar nga regjimi famëkeq serb, ti asnjëherë nuk tentove me e lënë Ditarin e me ju kthye shpinën nxënësve siç vepruan disa që për një jetë më të mirë e braktisën Ditarin dhe morën rrugët e botës, kurse vet nuk e dinin se ku po shkojnë!

Ju Babi im Nehat M Ramadani dhe shumë shokë si ju i qëndruat besnik Atdheut ku dhe sot më kujtohen ato ditë mësimi se si na flisnit për Luftën e drejtë të popullit për Lirinë e Kosovës e po ashtu për Gjuhën e mirëfilltë shqipe se si duhet ruajtur e kultivuar ndër breza.

Faleminderit që na edukove në këtë frymë duke qenë pika referuese për arsimimin tonë.

Sa shumë jemi krenarë e të bekuar me ty – ka shkruar i biri i tij Kimi.

Ramadani e nisi misionin e tij më 1 shtator 1986, që ishte një periudhë tejet sfiduese për mbijetesën e shkollës shqipe.